Hoxha: Polici Afrim Bunjaku u vra me detonim të minës antikëmbësorike

Më 24 shtator 2023 në fshatin Banjskë të Zveçanit në një sulm terrorist i vrarë ka mbetur rreshteri i Policisë së Kosovës, tashmë heroi Afrim Bunjaku.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, sot ka shpjeguar në detaje se si ka ndodhur vrasja e Bunjakut, duke thënë se ai është vrarë nga detonimi i minës antikëmbësorike.

“Vrasja e tij ka ndodhur me detonim të minës antikëmbësorike të detonuar nga afërsia me teledirigjues dhe me bateri elektrike që është përdorur nga grupi terrorist së pari” – tha Hoxha.

Tutje ai tha se Serbia po pretendon se grupi terrorist nuk ka pasur plan për të vrarë policët e Kosovës, por, sipas tij, vrasja e rreshterit nuk ka ndodhur aksidentalisht.

“Grupi terrorist pastaj kanë vazhduar sulmet direkte me raketahedhës nga pozicionet në dhe afër manastirit, diku 300 apo 400 metra vijë ajrore nga vendi ku është vrarë rreshter Afrimi” – tha Hoxha.

Ai tutje shtoi se Policia ka edhe pamje të cilat janë nxjerrë nga autoblindat e Policisë të cilat gjatë gjithë kohës kanë incizime.

Këto pamje Hoxha tha se dëshmojnë edhe sulmin direkt me armë zjarri dhe me raketahedhës të grupit terrorist ndaj zyrtarëve të Policisë së Kosovës.

Më 24 shtator 2023 një sulm terrorist u krye në Banjskë të Zveçanit.

Afrim Bunjaku, rreshter i Policisë së Kosovës, u vra, një polic tjetër u plagos e një tjetër u lëndua nga ky sulm, ndërsa Policia u sulmua disa herë radhazi nga grupi terrorist deri sa këta të fundit ikën në drejtim të Serbisë.

Në ditën kritike Policia sekuestroi 24 automjete, dy autoblinda e arsenal të madh armatimi luftarak që i kishte grupi terrorist.

Sekuestrimi i armëve të tjera po vazhdon që nga 24 shtatori, të cilat janë braktisur nga grupi terrorist në Banjskë dhe në zonën përreth.

Tre persona nga ky grup u vranë e disa të tjerë u arrestuan. Trupat e tre të vrarëve iu dorëzuan më 30 shtator 2023 familjarëve të tyre, pas përfundimit të procedurave të nevojshme nga organet kompetente.

Është ish-nënkryetari i Listës Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë që ka edhe mbështetjen e Qeverisë serbe – Millan Radoiçiq, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin ndërsa ka dhënë dorëheqje nga posti në partinë që i përkiste.

Radoiçiq tha se të gjithë skenarin e kishte bërë vet dhe askujt nuk i kishte treguar. Këto pretendime i njëjti i bëri përmes një letre të cilën e lexoi të premten pasdite avokati i tij i autorizuar, Goran Petronijeviq.

Sulmin terrorist të 24 shtatorit e dënuan ashpër edhe ndërkombëtarët.

Zhvillime të shumta pati që nga data e lartpërmendur. Në kufi me Kosovën, Serbia shtoi praninë e trupave ushtarake.

Mirëpo më 30 shtator 2023, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se “nuk e ka ndër mend ta urdhërojë ushtrinë” të kalojë kufirin me Kosovën dhe se do t’i tërheqë forcat serbe nga ajo pjesë, duke pretenduar se nuk është e vërtetë se Serbia po e dërgon ushtrinë në kufi.

“Vitin e kaluar kishim 14,000 njerëz pranë vijës administrative, sot kemi 7,500 dhe do ta reduktojmë në 4,000” – tha Vuçiq për “Financial Times”.

Më 29 shtator 2023, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i bënë thirrje Serbisë t’i tërheqë trupat nga kufiri, duke e quajtur zhvendosjen e tyre “zhvillim shumë destabilizues”.

E një ditë më pas, të shtunën, edhe Qeveria e Kosovës dhe Bashkimi Europian i kërkuan po ashtu Serbisë t’i tërheqë trupat nga kufiri.