Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, Foto: KALLXO.com

Hovenier: Vendimi i Kosovës për dinarin ka prekur partneritetin tonë

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se vendimi i Kosovës për ta zbatuar vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për ndalimin e dinarit serb, ka ndikuar në partneritetin mes Shteteve të Bashkuara dhe Qeverisë së Kosovës.

Hovenier më 15.02.2024, tha se deklaratat e zyrtarëve amerikanë kanë qenë vazhdimisht të qarta se Kosova duhet ta shtyjë vendimin e zbatimit të rregullores.

“Ai [O’Brien] kërkoi partneritet me qeverinë e Kosovës për këtë çështje. Ai shprehu keqardhjen që Qeveria nuk është përgjigjur ndaj kërkesave tona. Dhe ai e bëri të qartë se nëse Kryeministri Kurti nuk do të na trajtojë si partner, kjo vë në pikëpyetje se sa partner mund ta konsiderojmë këtë qeveri. Jam i shqetësuar që tani pas intervistës së tij ka deklarata publike që sugjerojnë se partneriteti SHBA-Kosovë nuk është prekur dhe mund të mos ndikohet nga kjo situatë. Duhet të jem i qartë. Kjo thjesht nuk është e vërtetë. Thjesht nuk është kështu. Siç deklaroi ndihmës sekretari O’Brien, kjo situatë tashmë ka ndikuar në cilësinë e partneritetit tonë, mes dy qeverive tona”- ka thënë ai.

Ambasadori amerikan ka thënë se nuk i sfidojnë institucionet e Kosovës për të rregulluar sektorin financiar, por kanë kërkuar që Rregullorja e re e BQK-së të shtyhet.

“Nuk i sfidojmë institucionet e Kosovës për të rregulluar sektorin financiar, nuk sfidojmë institucionet e Kosovës që të ulin rrezikun e pastrimit të parave apo financimin e grupeve terroriste, nuk i sfidojmë institucionet e Kosovës apo BQK-në, por ne vazhdimisht po kërkojmë që të shtyhet zbatimi i Rregullores për një periudhë tranzicioni”, ka shtuar ai.

Rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës – e cila përcakton që Euroja të jetë valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa me para të gatshme në gjithë vendin – hyri në fuqi më 1 shkurt.

Ditëve të fundit, Kosova po përballet me kritika dhe paralajmërime serioze për prishje të mundshme të raporteve me SHBA-në, shkaku i refuzimit të kërkesës për moszbatim të Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, e cila nuk e lejon asnjë valutë tjetër pos Euros, që të përdoret si mjet pagese.

Njëri prej zyrtarëve më të lartë amerikan të shtetit tha prerazi se nëse nuk trajtohen si partnerë, atëherë as SHBA-ja nuk do ta trajtojë Qeverinë e Kosovës si të tillë.

“Unë nuk bëj kërcënime të vagëta në publik. Unë do të thoja, që nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë Qeverinë e Kosovës si partnere”- tha Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien, më 13.02.2024 në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Pavarësisht kësaj deklarate, kryeministri Albin Kurti vazhdon të jetë i bindur se partneriteti me SHBA-të nuk është vënë në rrezik.

Ai ka hedhur poshtë pretendimet se partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është duke u rrezikuar pas hyrjes në fuqi të Rregullores së BQK-së, e cila e përcakton që e vetmja valutë që mund të përdoret si mjet pagese në Kosovë është Euro.

Kurti pas deklaratës së O’Brien: Nuk po rrezikohet partneriteti me SHBA-të