Haziri paralajmëron masa strikte për Lladovën, Malishevën e Epërme dhe lagjen Arbëria

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë që është në komunikim me Ministrinë e Shëndetësisë për zbutjen e masave për fshatrat Zhegër dhe Vrapçiq.

“Në Zhegër dhe në Vrapҫiq është mbyllur përfundimisht burimi i infeksionit sepse të gjitha rastet janë shëruar plotësisht. Jam në komunikim me ministrin e Shëndetësisë për lehtësim të masave atje. Edhe në dy raste në qytet është mbyllë burimi i infeksionit të #Covid19”, ka shkruar Haziri në Facebook.

Haziri ka paralajmëruar masa më strikte në disa vende të tjera në të cilat janë shfaqur raste të reja më COVID-19.

“Po vazhdojmë në Lladovë, Malishevë të Epërme dhe në lagjen Arbëria me zbatimin e masave strikte, si mënyra e vetme e parandalimit të përhapjes së virusit. Situata është nën kontroll dhe në mbikëqyrje të organeve tona”, ka shkruar tutje ai.

I pari i Komunës së Gjilanit u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i zbatojnë vendimet sepse në të kundërtën do të dënohen.

“Ju lutem që të vazhdoni të qëndroni në shtëpi sepse nga dje kemi filluar me dënimet mantatore sepse ndaj shkelësve të rregullave nuk ka më tolerancë. Policia e shtetit do të reagojë së bashku me inspekcionin komunal në parandalim, masa dhe instrumente që i aplikojmë në zbatim të ligjit kundër përhapjes së sëmundjeve infektive”, ka theksuar ai.

Aktualisht në Komunën e Gjilanit janë 9 raste me coronavirus, 4 raste janë nga qyteti 5 raste nga fshatrat përderisa janë shëruar 21 persona dhe një ka vdekur.

Ndërsa në nivel vendi janë 510 raste me COVID-19, 93 janë shëruar dhe 12 kanë vdekur.