Ilustrimi: Krenar Ferizi

“ Lëmshi“ i Haskukës me Drejtoritë e Komunës

Në dy vite qeverisje në Komunën e Prizrenit, drejtoritë e Komunës kanë qenë sfidë për kryetarin Mytaher Haskuka.

Burrat dominojnë drejtoritë në Komunën e Prizrenit, përderisa  Mytaher  Haskuka ka dështuar të mbaj premtimin  e tij për emërimin e pesë grave në udhëheqje të drejtorive.

Në nëntor të vitit 2017 Gazeta Jeta në Kosovë, ka raportuar për premtimet e kandidatëve për kryetar të Komunave për përfshirjen e grave në krye të Drejtorive Komunale.

Me 16 Janar 2018 Mytaher Haskuka kishte publikuar emrat e kabinetit të tij dhe të Drejtorëve të Komunës, nga 11 drejtori vetëm, vetëm dy nga to do të udhëhiqeshin nga gratë.

Haskuka kishte premtuar se nga 13 drejtori do t’i reduktonte në 10, ndërsa pesë prej tyre do të udhëhiqeshin nga gratë.

Pavarësisht premtimit të tij Haskuka fillimisht njoftoi për emërtimin e kabinetit të tij që do të kishte 11 Drejtori, e vetëm dy nga to do të udhëhiqeshin nga gratë.

Më vonë si drejtorë u emëruan edhe Refik Shaqiri nga NDS  dhe Faruk Dakaj nga LVV.

Koalicioni me dy subjektet LDK dhe NISMA, si dhe me partitë minoritare e detyroi Haskukën që të ndante “ kulaçin “ e qeverisjes me partnerët e koalicionit.

Katër  drejtori i takuan Vetëvendosjes, Drejtoria e Shërbimeve Publike, Drejtoria e Inspektorateve, dhe Drejtoria e Shëndetësisë, dhe Drejtoria e Emergjencës dhe Sigurisë.

LDK mori gjithashtu tre drejtori, atë të Urbanizmit, Drejtorinë e Bujqësisë dhe Drejtorinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Drejtoria e Arsimit, Drejtoria e Administratës dhe Drejtoria për Kulturë Rini e Sport i takuan Nismës.

Ndërsa dy drejtori  të rëndësishme morën partitë minoritare atë të Financave që i takoi partisë KDTP, dhe Drejtoria për Gjeodezi dhe Kadastër iu nda subjekti NDS të udhëhequr nga Emilija Rexhepi, që kishte dy asamblist.

Dorëheqje, shkarkime e aktakuza për keqpërdorime të detyrës zyrtare ndaj drejtorëve të Komunës kanë karakterizuar dy vitet e para të qeverisjes së Haskukës.

Pa kaluar një vit nga marrja e detyrës, Flaka Siqeca,  Drejtoresha e Shëndetësisë dha dorëheqje, duke e lënë kabinetin e Haskukës me vetëm një drejtoreshë, Sevil Kazaz që udhëheq me Drejtorinë e Turizmit.

Vetëm 7 ditë iu deshtën Haskukës për të emëruar drejtorin e ri Visar Shehu , që vazhdon të mbaj pozitën e tij.

Drejtoria e Arsimit doli të jetë problem për Haskukën, pasi kjo drejtori i ndau nga koalicioni LVV dhe Nismën, nga ku filluan edhe problemet e Haskukës me numra edhe në Asamblenë Komunale.

Fillimisht Skender Susuri në Maj  të vitit 2019 dha dorëheqje nga kjo pozitë pasi që i njëjti tha se nuk e kishte përkrahjen e partisë së tij, dhe se kishte pasur presione edhe për punësime.

Ndërsa Gani Gërmizaj i panjohur për publikun deri atë ditë, ishte emri i ri i propozuar nga Nisma Socialdemokrate për Drejtor të Arsimit.

KALLXO.com ka raportuar se drejtori i Arsimit deri në ditën e emërimit ka qenë i angazhuar edhe si gjyqtar futbolli pranë FFK-së, dhe në të njëjtën kohë ka punuar si profesor i edukatës fizike në Prizren.

Por karriera e tij politike si drejtor i Komunës nuk doli të jetë jetëgjatë, kjo pasi që kur mbushi 100 ditë si drejtor i njëjti u shkarkua nga Haskuka.

Konkurset për punë për të cilat ish-drejtori Skender Susuri kishte thënë se ka pasur presione të mëdha, kanë qenë arsyeja që kryetari i komunës Mytaher Haskuka ka shkarkuar nga detyra drejtorin Gërmizaj.

Kur kishin kaluar 24 orë nga shkarkimi i Gërmizajt nga detyra, Nisma Socialdemokrate nëpërmjet një njoftimi në llogarinë e tyre në Facebook kanë njoftuar për largimin nga koalicioni me Vetëvendosjen, e cila mbetet e vetme në qeverisje me LDK-në dhe partnerët nga partitë minoritare.

Mirëpo dy drejtorët që ishin në kuadër të Nismas, i qëndruan besnik Haskukës, pasi që Ehat Oreshka dhe Osman Hajdari vazhdojnë të kenë këto pozita edhe sot.

Në krye të drejtorisë të Arsimit erdhi Xhemile Thaçi Vezgishi,  për të cilën u tha se nuk i takon asnjë subjekti politik,  e cila vazhdon të mban këtë detyrë edhe sot, duke mbetur në dy numri  i drejtorive që udhëhiqen nga gratë.

Komuna e Prizrenit pesë muaj kishte mbetur pa “ mbajtës të kuletës “ kjo pasi që Drejtori Ertan Simitçi dha dorëheqje pas ngritjes të aktakuzës për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Ish Drejtori Ertan Simitçi akuzohet për veprimet e kryera në periudhën kohore janar – dhjetor të vitit 2016, në kohën kur kjo komunë udhëhiqej nga Ramadan Muja i PDK-së.

Në Janar të vitit 2020 Haskuka në krye të kësaj drejtori emërtoi Furkan Erguler nga partia KDTP, e cila vazhdon të jetë në koalicion qeverisës në Prizren.

Drejtoria për Gjeodezi dhe Kadastër më shumë se një muaj ka mbetur pa udhëheqës, pasi që ish drejtori Refik Shaqiri ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, pak kohë pasi ndaj tij u ngrit aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Refik Shaqiri është njëri nga tre drejtorët që iu kishte ngritur aktakuzë për dhënin e pronës së komunës në mënyrë të kundërligjshme.

Mbetet e paqartë se çfarë do të ndodh me tre drejtoritë që udhëhiqen nga LDK, pasi ditë më parë Haskuka i dha fund koalicionit me LDK, pak minuta pasi opozita i rrëmbeu pozitën e kryesuesit të Asamblesë Komunale si pasojë e mos marrëveshjes ndërmjet partnerëve ët koalicionit.

Nga Komuna e Prizrenit për KALLXO.com bëjnë me dije se të njëjti vazhdojnë të kryejnë detyrat e tyre, përderisa LVV dhe LDK janë në bisedime nëse në ditët e ardhshme do të arrihet një marrëveshje eventuale për të vazhduar bashkëqeverisjen.

Aktakuza ndaj Drejtorët të Komunës dhe përballje me Prokurorinë dhe Gjykatat kanë filluar të bëhen të zakonshme për qeverisjen në Prizren.

Levent Kasëmi, drejtor i Shërbimeve Publike dhe Fejzë Kabashi, drejtor i Mirëqenies Sociale, aktualisht po përballen me akuzat e Prokurorisë, për dhënien e pronës komunale në shfrytëzim në mënyrë të kundërligjshme.

Haskuka aktakuzën ndaj tre drejtorëve po e quan tentativë për bllokim të Komunës që udhëheq duke thënë se kjo aktakuzë po ia pamundëson punën Komunës së Prizrenit.

Ndërsa Islam Thaqi drejtor i Inspektoratit bashkë me pesë zyrtarë tjerë po përballen me akuzat e Prokurorisë për çështjen e shumëpërfolur të Abi Çarshisë.

Të gjithë po akuzohen se  kanë realizuar rrënimin e aneks objektin pa leje të Abi Çarshisë, ndërsa Prokuroria pretendon se që të gjithë të akuzuarit kanë ditur se i dëmtuari ka dorëzuar aplikacionin për legalizim.

Organizatat e Shoqërisë Civile në Prizren, në vazhdimësi i paraqesin kërkesat e tyre për shkarkim të drejtorëve me aktakuza duke i rikujtuar Haskukës premtimet e tij për qeverisje me zyrtarë që nuk bien ndesh me ligjin.

Shoqëria civile në Prizren i kërkojnë Haskukës shkarkimin e 3 drejtorëve me aktakuzë