Ministria e Tregtise dhe Industrise. Prishtine, 03.06.15. Photo:Atdhe Mulla
Hapet dosje ne prokurori për rezervat shtetërore
Prokuroria Speciale ka filluar të trajtojë rastin e rezervave shtetërore ku pretendohet për keqpërdorime nga ana e Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar vetë prokurori i Prokurorisë Speciale, Valdet Gashi.
“Ne jemi duke e vlerësu informacionin edhe rastin, tash me konfirmu të paktën nuk e kem zyrtare…, por jem duke u marrë me rastin” – tha Valdet Gashi.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë kishte reagur në lidhje me artikujt e fundit në disa media se ka pasur manipulime me rezerva shtetërore.
MINT kishte mohuar që kishte pasur manipulime gjatë procesit të furnizimit me rezervat shtetërore, e ku sipas MINT janë ndjekur të gjitha procedurat ligjore.
Lidhur me këtë rast Rozeta Hajdari, kishte njoftuar se ka dorëzuar padi për shpifje ndaj Gazetës Nacionale, gazetarit Berat Buzhala dhe zyrtarit të MINT, Enver Hajrullahu.
Përmes një postimi në Facebook, ajo ka thënë se raportimet e fundit nga ky medium janë bërë për ta cenuar integritetin e saj.
Sipas saj sulmet, shpifjet, fyerjet dhe të pavërtetat, nuk duhet të lejojmë të kthehen në diçka të zakonshme, ‘sepse dëmi që i bëhet opinionit publik, shoqërisë tonë mund të jetë i jashtëzakonshëm’.
MINT thotë se në fund të dhjetorit të vitit 2021 kishte hapur thirrje publike për furnizim me rezerva shtetërore.
Në vitin 2021, MINT ka shpallur tri herë procedurat e prokurimit për të blerë një sasi të Rezervës Shtetërore, nga të cilat një procedurë e prokurimit ka përfunduar me sukses, ndërsa dy procedura të prokurimit kanë dështuar, për shkak të mos ofertimit nga operatorët ekonomik”- thuhej në komunikatë.
“Në tremujorin e parë të vitit 2022, furnizimi me mallra të Rezervës Shtetërore, bazike për jetën e qytetarëve, është trajtuar si çështje e sigurisë kombëtare, në kohën kur filloi lufta në Ukrainë dhe kur gjendja e furnizimit të Rezervës Shtetërore në vendin tonë gjendej në sasi më të vogël, të nevojshme për jetesën dhe mbrojtjen e popullsisë, në rast të ndonjë krize për furnizim”- thoshte tutje MINT-i.
Ministria thekson se procesi i furnizimit me mallra për rezervën shtetërore se, “është duke u trajtuar dhe monitoruar sipas legjislacionit në fuqi dhe se nuk ka asnjë keqpërdorim të parasë publike.”
“MINT siguron se procesi i furnizimit me mallra për Rezervën Shtetërore, me standarde dhe parametra të përcaktuara të cilësisë, është duke u trajtuar dhe monitoruar sipas legjislacionit në fuqi dhe se nuk ka asnjë keqpërdorim të parasë publike. Kontratat e rezervës shtetërore janë të klasifikuara në nivelin sekret, sipas legjislacionit përkatës në fuqi”- shprehej MINT.
Sipas MINT, e gjithë kjo po bëhej për denigrimin e figurës së ministres, Rozeta Hajdari
“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) sqaron opinionin publik se, thashethemet e përdorura në audio-incizimet e transmetuara janë tendencioze dhe të pavërteta, duke aluduar për keqpërdorim të Rezervës Shtetërore dhe duke i shërbyer një kauze politike me qëllim të dëmtimit të procesit më të ndjeshëm për mbrojtje dhe siguri shtetërore dhe më qëllim denigrimin e figurës së Ministres Rozeta Hajdari, uljen e reputacionit dhe imazhin publik të saj”- thuhej mes tjerash në komunikatë.
Gazeta online “Nacionale” janë publikuar audio-incizime në të cilën dëgjohen sipas publikimit dy zyrtarë të MINT-it të cilët pretendojnë se vaji i paguar nga Polonia, nuk iu bashkua rezervave shtetërore.