Hagë: Dëshmitari i 30-të, ish-pjesëtar i UÇK-së, fillon dëshminë e tij në rastin Thaçi dhe të tjerët

Në Dhomat e Specializuara në Hagë, ka nisur dëshmia e dëshmitarit të 30-të me kodin W04769, dëshmitar i propozuar nga Prokuroria Speciale.

Sipas përmbledhjes së lexuar në gjykatë, ky dëshmitar është ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe do të ofrojë informacion rreth strukturës komanduese të UÇK-së në Shqipëri dhe në zonën e Pashtrikut.

Dëshmitari i mbrojtur është pyetur nga prokurori special, Matt Halling, rreth një interviste të mëparshme që ka dhënë në Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe rreth ndryshimeve të saj të cilën dëshmitari e ka pranuar.

Pas kësaj, prokurori Halling ka kërkuar që intervista dhe dokumentet e saj të pranohen si prova material.

Paraprakisht mbrojtja kërkoi që kundërpyetjet për dëshmitarin e 30-të të përgatiten deri të hënën, me përjashtim të avokatit të Kadri Veselit, Ben Emmerson, i cili ishte i gatshëm të enjten në mëngjes.

Prokuroria shprehu qëndrim se do i mjaftojnë dy orë për të pyetur dëshmitarin, ndërsa mbrojtja insistoi që do të duhet 13 orë për të bërë këtë.

Gjykimi po vijon në senacë private me deklarimin e dëshmitarit, ish-pjesëtarit tëi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Më 10 maj 2022, gjatë paraqitjeve të tyre, të katër të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat e reja në aktakuzën e ndryshuar.

Më 15 dhjetor gjykatësi i procedurës paraprake ia kaloi dosjen e çështjes trupit gjykues II. Konferenca përgatitore për gjykim u mbajt më 18 janar 2023, pasuar nga Konferenca Përgatitore e Prokurorit të Specializuar më 15 shkurt.

Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.