Grabitja në Suharekë, ekipi i Forenzikës mbledh provat brenda argjendarisë

Pak orë pas grabitjes sikur në filma në Suharekë, ekipet e Policisë, Forenzika, e edhe zyrtarë nga Prokuroria e Prizrenit kanë dalë në vendin e ngjarjes për të parë nga afër situatën por edhe për të mbledhur provat e nevojshme te cilat do të bëhen pjesë e dosjes penale ndaj personave të dyshuar të cilët kryen grabitjen në një argjendari.

KALLXO.com gjendet në vendin e ngjarjes, ku aktualisht janë ekipet e forenzikës dhe hetuesit të cilët po qëndrojnë brenda hapësirave të argjendarisë për të mbledhur provat materiale nga grabitja.

Deri më tani nuk ka persona të arrestuar ndërsa dyshohet se në grabitje morën pjesë 3-4 persona të cilët ishin të maskuar e të armatosur me armë te gjata.

Perimetri i sigurisë është vendosur tashmë dhe asgjë brenda hapësirave të argjendarisë nuk mund të preket përveç nga persona të autorizuar.

Një polic ka marrë plagë në këmbë pasi ndaj tij dhe kolegëve të tij gjuajtën me armë disa grabitës, të cilët kanë grabitur një argjendari në Suharekë.

Policia i ishte përgjigjur një informacioni për një grabitje të armatosur.

Nga të shtënat me armë deri më tani dëme ka pësuar një veturë e Policisë ndërsa të dyshuarit, sipas informacioneve të Policisë, janë larguar nga vendi i ngjarjes me një veturë me xhama të errët.

Policia aktualisht ka aktivizuar “unazën e çeliktë”, sistemin e vendosjes së pikave të shtuara të Policisë në lokacione të ndryshme për të lokalizuar e identifikuar veturën e dyshuar me të cilën u larguan personat që grabitën biznesin e argjendarisë në Suharekë.

“Është aktivizuar ‘unaza e çeliktë’ në bazë të informacioneve që janë për veturën e dyshimtë. Janë krijuar disa pika kontrolli në vendet nga mund të ketë shkuar vetura e dyshuar, edhe një veturë është dëmtuar e Policisë nga gjuajtjet me armë që kanë bërë”- tha drejtori i Policisë në Prizren, Faton Alija.

Aktivizohet “unaza e çeliktë” pas grabitjes së armatosur në Suharekë