Gjyqi ndaj ish-sekretarit të KPK-së, Lavdim Krasniqi dhe të tjerëve në Apel

Procesi gjyqësor lidhur me akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe vepra të tjera ndaj Lavdim Krasniqit, ish sekretar i Këshillit Prokurorial të Kosovës, shoferit të tij Ardian Krasniqit, asistentes Marigonë Berisha dhe zyrtares Flora Doda, ka vazhduar sot në Gjyaktën e Apelit.

Në mars të këtij viti gjykata e shkallës së parë kishte gjetur fajtor Lavdim Krasniqin për mos deklarim të pasurisë dhe dhuratave dhe e kishte dënuar me gjashtë muaj burgim dhe 8,000 euro gjobë.

Kurse për akuzat e ushtrimit të ndikimit Lavdim Krasniqi ishte liruar nga akuzat.

Ndërkaq Marigonë Berisha ishte gjetur fajtore për falsifikim të dokumenteve dhe është dënuar me gjobë 5,000 euro.

Ardian Krasniqi u gjet fajtor për veprën penale keqpërdorim të detyrës dhe u dënua 4 vite e 8 muaj burgim dhe 6,000 euro gjobë, ndërsa me dënim unik i ndalohet ushtrimi i funksionit publik. Kurse për akuzat e ushtrimit të ndikimit, i njëjti ishte liruar nga akuzat.

E akuzuara tjetër, Flora Doda është liruar nga akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Me këtë vendim të trupit gjykues të kryesuar nga gjyqtari Alban Ajvazi nuk u ndanë të kënaqur Prokuroria e as mbrojtja.

Në këtë rast Prokuroria ka parashtruar ankesë bazuar në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike dhe vendimit lidhur me sanksionet penale.

Përmes ankesës Prokuroria ka kërkuar që të anulohet aktgjykimi i shkallës së parë dhe çështja të kthehet në rigjykim.

Ankesë kanë ushtruar edhe mbrojtja në mes tyre i akuzuari Lavdim Krasniqi me avokatin Ramë Gashi, i akuzuari Ardian Krasniqi me mbrojtësin Nystret Mjeku dhe e akuzuara Marigona Berisha me mbrojtësin Fatlum Podvorica.

Në seancë nuk prezantoi prokurori i Prokurorisë së Apelit e as i akuzuari Ardian Krasniqi.

Avokati Ramë Gashi para kolegjit të Apelit kërkoi që të vërtetohet aktgjykimi i shkallës së parë sa i përket pikave për të cilat i mbrojturi i tij Lavdim Krasniqi është liruar.

Ndërsa ka kërkuar që pikat e aktgjykimit për të cilat i mbrojturi i tij është dënuar, të lirohet nga akuzat në mungesë të provave.

Ankesën e tyre avokati Fatlum Podvorica shtjelloi se e kishte bazuar në të gjitha bazat ankimore.

Ndërkaq ka kërkuar nga gjykata e shkallës së dytë që të ndryshojë aktgjykimin e shkallës së parë sa i përket pikës së akuzës për të cilën e mbrojtura e tij është shpallur fajtore dhe të njëjtën ta lirojë nga akuzat.

Kurse avokati Nystret Mjeku ka kërkuar që i mbrojturi i tij Ardian Krasniqi të lirohet nga akuzat.

Ndërsa avokati Arlind Jupolli, mbrojtësi i Flora Dodës, nuk ka parashtruar ankesë por vetëm përgjigje në ankesën e Prokurorisë.

Lidhur me këtë i njëjti tha se ankesa nuk është mbështetur në asnjë provë të re dhe ka kërkuar vërtetimin e aktgjykimit të shkallës së parë.

Kolegji i Gjykatës së Apelit në këtë rast kryesohet nga Kadrije Goga – Lubishtani, gjyqtari referues Hashim Çollaku dhe anëtari Beqir Kalludra.

KALLXO.com ka raportuar që nga fillimi i këtij rasti, i cili filloi marsin e vitit 2021, Lavdim Krasniqi që atëherë mbante postin e Drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Marigona Berisha u shoqëruan për në stacionin policor nën dyshimet se janë përfshirë në afera korruptive.

Ish-drejtori i sekretariatit të KPK-së, Lavdim Krasniqi, akuzohet se bashkë me shoferin e tij, Ardian Krasniqi, në disa lokacione kishin kërkuar dhe pranuar para dhe dhurata në vlerë prej 40 mijë euro nga B. M., duke i premtuar se do të ushtronin ndikimin e tyre për t’ia ulur dënimin si dhe për t’ia shtyrë ekzekutimin e dënimit me burg.

Me këto veprime, sipas njoftimit të Prokurorisë, të akuzuarit Lavdim Krasniqi dhe Ardian Krasniqi, kanë kryer veprën penale të ushtrimit të ndikimit.

Po ashtu, të akuzuarit e lartcekur në bashkëkryerje i kanë mundësuar të dyshuarit A. M., që të arratisej nga territori i Republikës së Kosovës për në Shqipëri, duke shfrytëzuar veturën zyrtare të KPK-së, konkretisht të drejtorit të SKPK-së, duke konsumuar veprën penale – keqpërdorim i detyrës zyrtare.

Sipas Prokurorisë këtë veprim e kishin marrë duke përdorur logon zyrtare dhe rotacionin të cilin e posedonte vetura e KPK-së, më ç’rast kishin kaluar në territorin e Shqipërisë.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit Lavdim Krasniqi dhe Flora Doda kanë shkelur procedurat dhe rregullat e prokurimit publik dhe me këtë në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Në aktakuzë thuhet se ai së bashku me zyrtaren Flora Doda kishin porositur dhe pranuar mobile në vlerë 9,480 euro ndërsa pas disa ditëve kishin lidhur kontrata dhe zhvilluar procedura fiktive në kundërshtim me ligjin.

Po ashtu, sipas aktakuzës, i pandehuri Lavdim Krasniqi, ka kryer veprën penale – mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare.

Sipas Prokurorisë, ai nuk e kishte përfshirë në deklarimin e pasurisë shumën e 40 mijë eurove që i kishte marrë pas shitjes së banesës si dhe shumën prej 10 mijë euro të cilat ia kishte dhënë miku i tij në emër të blerjes së dy banesave në vlerë prej 121 mijë euro.

Ndërsa shoferi i tij, Ardian Krasniqi, akuzohet edhe për falsifikim të dokumenteve zyrtare, pasi sipas Prokurorisë kishte falsifikuar rezultatet e testit për COVID-19 për B. M. me qëllim që të njëjtit t’i mundësohej shtyrja e ekzekutimit të dënimit.

Akuza rëndojnë edhe ndaj asistentes së Krasniqit, Marigona Berisha.

Sipas Prokurorisë ajo kishte përpiluar dokumente të falsifikuara, pasi kishte falsifikuar deklaratën në emër të B. M. me të cilën pretendonte se i kishte paguar të njëjtit shumën prej 8 mijë e 400 eurove në zyrën e noterit Sefedin Blakaj.

Deri te zbulimi i kësaj vepre, Prokuroria pretendimin për falsifikim e mbështet edhe në ekspertizën e Agjencisë Kosovare për Forenzikë, e cila ka konstatuar se nënshkrimi i B. M. në atë dokument nuk ishte i tij.

Përpos kësaj, Marigona Berisha akuzohet me pretekstin se kishte pranuar pasurinë duke qenë në dijeni se e njëjta ishte fituar me vepër penale të shkaktuar nga Lavdim Krasniqi dhe Ardian Krasniqi, përkatësisht veturën e tipit “VW T-roc”, në vlerë prej 25 mijë euro.