Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, seanca e sotme përfundon e mbyllur për publikun

Gjyqi në Hagë i cili po zhvillohet ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit ka përfunduar sot në një seancë të mbyllur për publikun.

Avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, mori në pyetje dëshmitarin e 30-të në sesion privat.

W04769, është dëshmitar i propozuar nga Prokuroria Speciale. Sipas përmbledhjes së lexuar në gjykatë, ky dëshmitar është ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe ka ofruar dje informacion rreth strukturës komanduese të UÇK-së në Shqipëri dhe në zonën e Pashtrikut.

Avokati i Veselit, Ben Emmerson, fillimisht ka kërkuar që pyetjet ndaj dëshmitarit të 30-të të kryheshin në një seancë publike, por kërkesa e tij u kundërshtua nga prokurori Matt Halling.

Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë dhe seanca vazhdoi të mbetej e mbyllur për publikun.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Më 10 maj 2022, gjatë paraqitjeve të tyre, të katër të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat e reja në aktakuzën e ndryshuar.

Më 15 dhjetor gjykatësi i procedurës paraprake ia kaloi dosjen e çështjes trupit gjykues II. Konferenca përgatitore për gjykim u mbajt më 18 janar 2023, pasuar nga Konferenca Përgatitore e Prokurorit të Specializuar më 15 shkurt.

Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.