Ilustrim, aeroplani Foto: Pixabay

Tenderi i Ministrisë së Arsimit - 400,000 euro për bileta avioni për Agjencinë e Kosovës për Akreditim

Ministria e Arsimit ka hapur tender për shërbime të transportit për Agjencinë e Kosovës për Akreditim (AKA), i cili ka vlerën 400,000 euro dhe kohëzgjatje për tre vjet.

Sipas Dosjes së tenderit, e publikuar më 19.03.2025, qëllimi është që të lidhet një Kontratë me një Operator Ekonomik (OE) të kualifikuar, i cili do të ofronte shërbimet e rezervimit dhe lëshimit të aviobiletave për udhëtimet zyrtare të AKA-s, që do të autorizohen nga Ministria e Arsimit.

Ministria ka parashikuar që gjatë periudhës trivjeçare numri i përafërt i biletave të jetë 1000 copë në destinacione të ndryshme të botës, me çmimin mesatar të një bilete në vlerë 400 euro.

Naim Gashi, Drejtor në AKA, ka thënë për KALLXO.com se vlera 400,000 euro për tri vjet është e dedikuar kryesisht për ekspertët ndërkombëtarë të cilët marrin pjesë në procesin e akreditimit dhe në procedurat pasakredituese në AKA.

“Në këtë shumë hyjnë edhe biletat e anëtarëve ndërkombëtarë të cilët marrin pjesë në mbledhjet e Bordit të Agjencisë dhe biletat e stafit për udhëtime jashtë vendit.” – ka thënë Gashi, më 17.04.2025.

Gashi ka treguar se gjatë vitit 2023 shpenzimet për transport ajror për AKA kanë qenë 44,374.53 euro, kurse në vitin 2024 kanë qenë 104,447.33 euro.

“Më 2023 janë realizuar gjithsej 71 vlerësime (10 institucionale dhe 61 programore). Kanë qenë të angazhuar 128 ekspertë. Më 2024 janë realizuar gjithsej 169 vlerësime (8 institucionale dhe 161 programore). Kanë qenë të angazhuar 400 ekspertë. Te numri 400 ekspertë nuk do të thotë se janë 400 bileta. Kemi ekspertë të cilët vijnë në Kosovë dhe qëndrojnë dy-tri ditë, vlerësojnë 3 ose 4 programe dhe nevoja për bileta ulet.” – ka shtuar Gashi.

Gashi i është referuar Pikës 2.3 të Nenit 9 të Ligjit për Agjencinë e Kosovës për Akreditim, në të cilën flitet për përbërjen e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, ku pesë anëtarë janë të stafit akademik, një nga radhët e studentëve dhe tre anëtarë ndërkombëtarë.

Sipas tij AKA është e obliguar që t’i mbulojë shpenzimet e biletave sa herë që anëtarët ndërkombëtarë të KSHC-së vijnë në Kosovë.

Kurse, në Pikën 1 të Nenit 32 në Ligjin e AKA-së thuhet se “AKA organizon procesin e akreditimit për institucionet e arsimit të lartë në bazën e një vlerësimi të jashtëm, i cili realizohet nga ekspertë ndërkombëtarë të akreditimit, në përbërje prej: 1.1. dy vlerësues deri në shtatë vlerësues të jashtëm, varësisht nga numri i Programeve të studimit që vlerësohen; së paku një (1) student”.

Dhe, Pika 3 e Nenit 32 thotë se realizimi i vlerësimit të jashtëm nënkupton organizimin e një vizite me ekspertët ndërkombëtarë të akreditimit.

Gashi ka arsyetuar më tej shfrytëzimin e biletave të tansportit ajror, duke përmendur se Pika 4 në Nenin 44 e Ligjit për AKA përcakton se përprocedura pasakredituese “4. Vlerësimi i implementimit të Rekomandimeve kryhen nga vlerësuesit e jashtëm ndërkombëtarë”.

Se pse është caktuar që pikërisht 400 euro të jetë çmimi i një bilete, Gashi ka thënë se vlera 400 euro për një biletë është mesatare, sepse ato mund të variojnë varësisht nga vendi prej nga vijnë ekspertët ndërkombëtarë.

Gashi ka ndarë edhe listën e ekspertëve ndërkombëtarë e cila është publike dhe përmban 233 ekspertë e studentë nga vende të ndryshme europiane dhe jashtë Europës.

Ai ka dhënë madje një shembull të parashikimit të shpenzimeve për transport ajror nga AKA:

“Vlera e biletave varion varësisht nga numri i Programeve që janë në proces të akreditimit brenda një viti: p.sh. gjatë vitit 2025 i kemi në proces 145 akreditime në nivel të Programeve të studimit dhe në nivel institucional. Numri minimal i ekspertëve për një vlerësim është tre, dy prej tyre profesorë dhe një studentë. 145 akreditime x 3 ekspertë = 435 ekspertë pritet të vijnë në Kosovë.

Nëse e marrim mesataren e një bilete 435 x 400 = 174.000 euro, përafërsisht pritet t’i kushtojë AKA-së procesi i akreditimit për vitin 2025. Kësaj shume pritet t’i zbritet një numër i vlerësimeve që janë kryer në nëntor dhe dhjetor 2024.

Një numër i ekspertëve vijnë në Kosovë dhe qëndrojnë për dy ose tri ditë dhe kryejnë 3 deri në 4 akreditime, kështu që numri 400 për bileta mund të ulet.

Këtu nuk janë përfshirë edhe procedurat pasakredituese, ardhja e anëtarëve ndërkombëtarë në Bord dhe vizitat janë vendit të stafit.”

KALLXO.com e ka pyetur edhe Ministrinë e Arsimit nëse janë në dijeni se për çka do të shfrytëzohen këto bileta të transportit ajror nga AKA, mirëpo nga data 16.04.2025 nuk kanë dhënë përgjigje deri në publikimin e lajmit.