Foto: KALLXO.com

Sërish nuk mbahet seanca në betejën mes ish-drejtorit të Agjencisë për Akreditim dhe mediave

Për të disatën herë ka dështuar të mbahet seanca përgatitore e rastit të ish-drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Akredimit, Basri Muja, i cili ka paditur disa subjekte, kryesisht media vendore.

Palë të paditura në këtë rast janë: Agjencia e lajmeve “Infokus”-i, gazetaa “Tribuna” si dhe ligjëruesi universitar Elton Tota.

Seanca nuk u mbajt në mungesë të kushteve ligjore.

Në vitin 2014 ish-drejtori i Agjencisë Kosovare të Akredimit, Basri Muja, i kishte paditur këto subjekte me pretendimin për shpifje dhe fyerje, pasi që, sipas tij, ato kishin publikuar disa artikuj rreth tij me përmbajtje të rreme dhe shpifëse.

Artikujt kishin të bënin me keqpërdorime të pretenduara në AKA, të cilat thuhet të jenë bërë shkaktar që kësaj Agjencie t’i refuzohet anëtarësia e plotë në ENQA.

Subjektet e paditura i kanë kundërshtuar në tërësi pretendimet e paditësit.

Seanca e re nga gjyqtarja e rastit, Rrezarta Sylejmani Voca, është caktuar për më 11 dhjetor 2023.

Çka përmban padia?

Në gusht të vitit 2014, asokohe drejtori i Agjencisë Kosovare të Akreditimit, Basri Muja, momentalisht profesor në një nga kolegjet private në vend, i kishte paditur subjektet e lartcekura, duke i akuzuar për shpifje dhe fyerje.

Ai padinë e kishte ushtruar në Gjykatën e Prishtinës përmes përfaqësuesit të atëhershëm, avokatit Ekrem Agushi.

Momentalisht ai përfaqësohet nga avokatja Edita Ismaili.

Shkaku i padisë, sipas shkresës së deponuar në Gjykatë, janë disa artikuj të cilat pretendohet se kishin përmbajtje të rreme dhe shpifëse ku ndër të tjera thuhej se paditësi në cilësinë e drejtorit të AKA-së kishte bërë shantazhe dhe marrje të ryshfetit nga drejtues të universiteteve dhe kolegjeve private dhe kjo sipas shkrimeve ishte bërë shkak që AKA-së t’i refuzohej anëtarësia e plotë në ENQA –  Asociacioni Europian të Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë.

Sipas padisë, ato që paditësi i quan shpifje dhe të pavërteta të shkruara nga përgjegjësit e të paditurave, e kanë goditur rëndë personalitetin e tij, i cili bashkërisht me anëtarët e familjes kishin përjetuar dhimbje shpirtërore të rëndë me pasoja shpirtërore, shëndetësore dhe materiale.

Kërkesat e paditësit Basri Muja

Vlera e saktë e kompensimit të cilën po e kërkon Muja sipas padisë akoma nuk është precizuar. Megjithatë ai ka një dy kërkesa për kompensim.

Paditësi po kërkon që të gjitha subjektet e paditura bashkërisht t’i paguajnë një shumë kompensuese për dhimbjet e rënda shpirtërore, cenim të autoritetit, nderit, lirisë dhe të drejtave të personalitetit; ai gjithashtu po kërkon një shumë kompensuese për shkak të fitim të humbur në të ardhurat e pritura nga angazhimet tjera profesionale – e në këto dy shuma ka kërkuara që të llogaritet kamata ligjore prej 8 % e cila ka kërkuara të aplikohet që nga dita e parë e paraqitjes së padisë.

Si është përgjigjur në padi “Infokus”-i?

Në dhjetor të vitit 2016, agjencia e lajmeve “Infokusi” kishte deponuar përgjigje në padi përmes përfaqësuesit të saj, kryeredaktorit Shkelzen Dakaj.

Sipas shkresesës, ky subjekt e konsideron padinë si të pabazë në tërësi.

Në përgjigjen në padi thuhet se “Infokus”-i të gjitha shkrimet i ka të bazuara në dokuemente konkrete, shkrimet nuk kanë pasur asnjë përmbajtje dhe elemente shpifjëse ndaj asnjë personi i cili mund të ketë punuar në AKA në vitin 2014, por, gjithnjë sipas shkresës, kanë adresuar fenomentet negative në të cilat kjo Agjenci ishte zhytur dhe të cilat ishin bërë pengesë për anëtarësimin e saj në Asociacionin Europian për Sigurimin e Cilësisë.

Madje në këtë shkresë thuhet se nuk janë adresuar dhe nuk janë përmendur emra konkretë individësh, në veçanti aty theksohet se nuk është përmendur askund paditësi Basri Muja, rrjedhimisht sipas “Infokus”-it ai nuk ka të drejtë të ngrejë padi kundrej tyre.

Më tutje “Infokus”-i nënvizon se paditësi nuk i ka bashkëngjitur asnjë dokument padisë.

Si është përgjigjur në padi Elton Tota?

Edhe i padituri tjetër Elton Tota e ka kontestuar në tërësi padinë e ushtruar kundër tij nga ish-drejtori i AKA-së, Basri Muja.

Në përgjigjen në padi ai ka cekur se nuk ka asnjë njohje personale apo konflikt interesi me Basri Mujën.

Madje, sipas shkresës, Elton Tota nuk ka dhënë ndonjë deklaratë publike lidhur me paditësin. Ai e ka ftuar Basri Mujën që ta dëshmojë të kundërtën konform kërkesave ligjore të cilat barrën e provës ia ngarkojnë paditësit.

Madje Elton Tota e paralajmëron në përgjigjen e tij në padi Basri Mujën për pasoja ligjore për padinë e ushtruar kundër tij.

“Përkundrazi, unë mendoj se pikërisht ngritja e kësaj padie kundër meje përbën shpifje, dëmtim të reputacionit dhe imazhit tim. Prandaj i bëj me dije paditësit se mund të përballet me pasoja ligjore” – thuhet në përgjigje.

Aty më tutje argumentohet se padisë nuk i është bashkëngjitur asnjë provë, me këtë rast ky i paditur e lut gjykatësin që t’i kërkojë plotësimin e padisë paditësit ose në të kundërtën ta hedhë poshtë padinë si të pabazë.