Gjykata merr një vendim për dy edukatoret e dyshuara për ushtrim të dhunës ndaj 3 vjeçarit në Çerdhen 'Gëzimi Ynë'

Gjykata në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit për dy edukatoret e dyshuara për ushtrim të dhunës ndaj tre vjeçarit në Çerdhen “Gëzimi Ynë” në Fushë Kosovë

Këtë për Kallxo.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi.

Prokuroria gjatë dits së sotme ka parashtruar kërkesën për caktim e masës së paraburgimit për N. M. dhe N. H., edukatore dhe kuzhiniere në çerdhen “Gëzimi Ynë” në Fushë Kosovë, nën dyshimin se janë të përfshira në keqtrajtimin e një 3-vjeçari.

Të njëjtat dyshohen për veprat penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” dhe “Lëndimi i lehtë trupor”.

“Ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente, ndaj të pandehurave N. M. dhe N. H., për shkak të veprave penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, nga neni 195 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së dhe “Lëndimi i lehtë trupor”, nga neni 185 paragrafi 3, pika 3.1 lidhur me paragrafin 1, pika 1.4 të KPRK-së”- thuhej në njoftimin e Prokurorisë.

Sipas prokurorisë të njëjtat kanë vepruar me dashje e me qëllim të shkaktimit të lëndime të lehta trupore.

“Me dashje e me qëllim të shkaktimit të lëndimeve trupore, me forcë e kanë tërhequr për krahë të dëmtuarin e mitur, në atë mënyrë që i kanë shkaktuar lëndime të lehta trupore”- thuhej tutje në njoftimin e Prokurorisë.

Ky rast ka ngjallur reagime të shumta pasi një qytetar kishte pretenduar se nipi i tij është rrahur në çerdhen publike “Gëzimi Ynë” në Fushë Kosovë.

Për këtë rast i njëjti në rrjeti e tij social Facebook kishte publikuar edhe disa pamje nga kamerat e sigurisë.

Po ashtu, ai ka publikuar foto të fëmijës me lëndime.

Bajram Zogiani, avokati i edukatores N. M. kishte deklaruar të martën se e gjithë çështja po hiperbolizohet.

Inspektorati i Arsimit, pas inspektimit emergjent në këtë institucion parashkollor ka rekomanduar suspendimin e të dyshuarve deri në zbardhjen e rastit.