FOTO: KALLXO.com

Inspektorati i Arsimit rekomandon suspendimin deri në zbardhjen e rastit të punëtoreve të çerdhes në Fushë-Kosovë

Inspektorati i Arsimit ka realizuar një inspektim emergjent në institucionin parashkollor “Gëzimi Ynë” në Fushë-Kosovë pas publikimit të pamjeve nga familjarët e një 3-vjeçari, të cilët pretendojnë se fëmija është keqtrajtuar në këtë çerdhe.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Edona Kutleshi-Maliqaj, këshilltare për media në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ka deklaruar se rekomandimi i Inspektoratit të Arsimit për Komunën e Fushë-Kosovës është që deri në zbardhjen e plotë të këtij rasti punëtoret e dyshuara të suspendohen nga puna.

“Qëllimi i inspektimit ka qenë konstatimi i gjendjes faktike lidhur me ushtrimin e dhunës fizike ndaj fëmiut 3 vjeçar, të ushtruar nga edukatoret e këtij institucioni. Gjatë kohës sa ekipi inspektues i MASHTI ka qëndruar në këtë çerdhe, organet e rendit kanë qenë në vendin e ngjarjes dhe janë duke e trajtuar këtë rast. Rekomandimi i Inspektoratit të Arsimit për Komunën e Fushë Kosovës është që deri në zbardhjen e plotë të këtij rasti, punëtoret e dyshuara të suspendohen nga puna” – ka thënë Edona Kutleshi-Maliqaj.

Më 18 shtator, një qytetar ka publikuar pamje të kamerave të çerdhes, të cilat, sipas tij, tregojnë se si edukatoret e rrahin dhe e tërheqin zvarrë nipin e tij 3-vjeçar.

Po ashtu, ai ka publikuar foto të fëmijës me lëndime në krahë.

Për këtë rast kanë reaguar edhe Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të cilat e kanë dënuar këtë akt.