Gjendet në Kosovë makina në vlerë mbi 100 mijë euro e kërkuar nga autoritetet zvicerane

Policia e Kosovës ka konfiskuar një makinë me vlerë rreth 100 mijë euro pas një bashkëpunimi me Policinë e Zvicrës, e cila ka informuar autoritetet kosovare se makina mund të ishte në territor të Kosovës.

Makina e llojit “Mercedes” u gjet pas veprimit të zyrtarëve policorë nga Drejtoria Rajonale Mitrovicë – Veriu.

“Në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar policor, Policia e Kosovës ka pranuar një informacion nga autoritetet e Policisë Federale të Zvicrës në lidhje me dyshimin se një veturë e llojit Mercedes e cila ishte në kërkim nga autoritetet zvicerane, mund të jetë në territorin e Republikës së Kosovës”.

“Përmes bashkëpunimit profesional me Drejtorinë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor (ILECU), po ashtu edhe angazhimit të jashtëzakonshëm dhe veprimit të shpejtë e profesional, të zyrtarëve policorë nga DRP Mitrovicë Veri, më datë 10.10.2023 është arritur të gjendet dhe konfiskohet vetura e llojit Mercedes (vlera e përafërt mbi 100 000 €) e cila ishte në kërkim në Zvicër”- thuhet në njoftimin e policisë.

Në njoftim theksohet se rasti është duke u trajtuar konform procedurave ligjore nga njësitë përkatëse policore.

Policia e Kosovës  tutje potencon se përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor (ILECU) ka një bashkëpunim të shkëlqyer me institucionet ndërkombëtare të zbatimit të ligjit si dhe ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen.