Foto: Ilustrim

Gjakovë, paraburgim për personin që dyshohet për shtytje të vrasjeve të mbetura në tentativë

Gjykata e Gjakovës ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj M.Gj.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar gjykatësi Drilon Haraçia.

M.Gj., sipas Prokurorisë, po dyshohet për veprën penale shtytje në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë e mbetur në tentativë.

KALLXO.com ka raportuar gjate ditës për këtë rast.

Kërkohet paraburgim për të dyshuarin që porositi 3 vrasje për 320 mijë euro

Sipas kërkesës së Prokurorisë, M.Gj., nga një fshat i komunës së Gjakovës, dyshohet se nga fundi i muajit janar të vitit 2020 në lokalin “Scorpion” në Gjakovë me dashje shtyn personin L.M., që të kryejë vrasje të trefishtë, duke i premtuar shuma të të hollave.

Prokuroria pretendon se fillimisht i dyshuari M.Gj. e thërret L.M., kinse për të biseduar rreth shitblerjes së një banese dhe më pas për kryerjen e tre vassjeve i premton shumën prej 20 mijë eurove për vrasjen e B.Sh., 200 mijë euro  për vrasjen e Gj.Gj., dhe 100 mijë euro për vrasjen e djalit të personit të parë B.Sh., i cili ndodhet në vuajtje të dënimit për vrasje.

Pas disa ditësh, L.M. shkon te restoranti “Potok” ku edhe e kishte lënë takimin me Gj.Gj., dhe të njëjtin e njofton për personin që po e shtyn të kryejë vrasje me pagesë ndaj tij, ndaj B.Sh., dhe djalit të tij, dhe më pas të dëmtuarit e marrin një telefonatë nga nipi i tyre në Gjermani, ku i njëjti u kërkom të kenë kujdes pasi që ishte duke u përgatitur vrasja e tyre nga M.Gj., thuhet në kërkesën e Prokurorisë.

Më pas, të njëjtit e kishin paraqitur rastin në Polici.

Këtë kërkesë për caktim të paraburgimit prej një muaji, Prokuroria e ka kërkuar për shkak se i njëjti fillimisht kishte qenë në arrati ndërsa më pas me vetiniciativë është dorëzuar në Polici më 28 prill 2021.