Gjykata e Gjakoves
Dosja e vrasjeve me pagesë në Gjakovë, 3 vrasje për 320 mijë euro
Prokuroria e Gjakovës, përkatësisht prokurori Ali Uka ka bërë kërkesë për caktim të paraburgimit ndaj M.Gj., në Gjykatën e Gjakovës.
M.Gj., sipas Prokurorisë, po dyshohet për veprën penale shtytje në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë, e mbetur në tentativë.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, M.Gj., nga një fshat i komunës së Gjakovës, dyshohet se nga fundi i muajit janar të vitit 2020 në lokalin “Scorpion” në Gjakovë, me dashje, shtynë personin L.M., që të kryej vrasje të trefishtë, duke i premtuar shpërblim me para.
Prokuroria pretendon se fillimisht i dyshuari M.Gj., e thërret L.M., kinse për të biseduar rreth shitblerjes së një banese dhe më pas për kryerjen e tre vrasjeve i premton shumën prej 20 mijë eurove për vrasjen e B.Sh., 200 mijë euro për vrasjen e Gj.Gj., dhe 100 mijë euro për vrasjen e djalit të personit të parë B.Sh., i cili ndodhet në vuajtje të dënimit për vrasje.
Pas disa dite, L.M., shkon në restaurantin ku e kishte lënë takimin me Gj.Gj., dhe të njëjtin e njofton për personin që po e shtynë të kryej vrasje me pagesë ndaj tij, ndaj B.Sh., dhe djalit të tij. Më pas të apostrofuarit që ishin shënjestër për vrasje, e marrin një telefonatë nga nipi i tyre në Gjermani, i cili u kërkon të kenë kujdes pasi ishte duke u përgatitur vrasja e tyre nga M.Gj., thuhet në kërkesën e Prokurorisë.
Këtë kërkesë për caktim të paraburgimit prej një muaji, Prokuroria e ka kërkuar për shkak se i njëjti fillimisht kishte qenë në arrati ndërsa më pas me vetiniciativë është dorëzuar me datë 28 prill 2021, në Polici.
Ndaj këtij personi, pas kërkesës së Prokurorisë sot pritet të merret vendimi nga gjykatësi Drilon Haraçia.