Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq
Autoritetet serbe e lirojnë zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar se zëvendësdrejtorit i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq, është liruar nga mbajtja në Serbi.
Ministria tha se ai gjendet rrugës për në Kosovë.
“MPJD njofton opinionin e gjerë publik se përfaqësuesi i zyrës së Republikës së Kosovës në Serbi, ambasadori Jetish Jashari, ka konfirmuar se zëvendësdrejtorit i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq, sapo është liruar dhe ndodhet rrugës për në Kosovë” – thuhet në njoftim.
Gjatë ditës, shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX), Giovanni Pietro Barbano është shprehur i shqetësuar për ndalimin e Jankoviq.
“Ne u bëjmë thirrje të gjithë atyre që janë të përfshirë që t’i përmbahen parimeve të sundimit të ligjit gjatë gjithë procesit” – tha Barbano.
Edhe ambasadori i ShBA-s në Kosovë, Jeffrey Hovenier, është shprehur i shqetësuar për ndalimin e zëvendësdrejtorit Jankoviq.
Këto deklarata ambasadori amerikan i dha para mediave pas takimit që pati me presidenten Vjosa Osmani më 18.04.2024.
“Jankoviq është i njohur mirë nga Ambasada Amerikane dhe shumë të tjerë. Ne jemi veçanërisht të shqetësuar. Ai është dikush që e njohim prej shumë vitesh. Ai ka shpenzuar shumë energji dhe kohë në Polici duke ndihmuar shumë në integrimin e komunitetit serb në Policinë e Kosovës dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore të Kosovës. Ne jemi të shqetësuar dhe shpresojmë që të lirohet shpejtë” – ka thënë ambasadori Hovenier.
Më 17.04.2024, Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës njoftoi se 10 pjesëtarë të Policisë së Kosovës (shqiptarë dhe serbë) janë ndaluar në kalimet kufitare Merdarë, Jarinje, Dheu i Bardhë dhe në kufirin mes Kroacisë dhe Serbisë.
Më 18.04.2024, Kurti ka thënë se zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës nga radhët e komunitetit serb, Dejan Jankoviq, vazhdon të mbahet në burg në Serbi.
Barbano: EULEX-i është i shqetësuar nga ndalimi i zv.drejtorit të Policisë së Kosovës në Serbi