Kryeministri polak, Donald Tusk. Foto: Profili i tij në Facebook

FT: Kryeministri polak vë në dyshim lojalitetin amerikan në rast sulmi rus

“Pyetja më e madhe dhe më e rëndësishme” e Europës është nëse Shtetet e Bashkuara janë gati të dëshmohen partner besnik i NATO-s në rast të një sulmi rus, i ka deklaruar të premten (24.04.2026) kryeministri polak, Donald Tusk, gazetës “Financial Times”, raporton Reuters.

 

Ai gjithashtu ka bërë thirrje që Bashkimi Europian të kthehet në “aleancë të vërtetë” për mbrojtjen e kontinentit, duke reflektuar shqetësimet në rritje lidhur me politikat dhe kërcënimet e paparashikueshme të presidentit amerikan, Donald Trump, ndaj partnerëve të tij europianë.

“Për të gjithë krahun lindor, fqinjët e mi… pyetja është nëse NATO-ja është ende një organizatë e gatshme, politikisht dhe njashtu në aspektin logjistik, për të reaguar, për shembull kundër Rusisë nëse përpiqet të sulmojë”, ka deklaruar ai në një intervistë të botuar në gazetën britanike.

Tusk ka thënë se një sulm i mundshëm rus është “diçka përnjëmend serioze”.

“Po flas për perspektiva afatshkurtra, në vend të muajve sesa viteve… Për ne, është vërtet e rëndësishme të dimë se të gjithë do t’i trajtojnë detyrimet e NATO-s po aq seriozisht sa Polonia”.

Tusk ka folur me rastin e një samiti jozyrtar të BE-së në Qipro, ku liderët e BE-së do të diskutojnë njashtu luftën në Lindjen e Mesme, masat energjetike si kundërpërgjigje dhe buxhetin e ardhshëm afatgjatë të BE-së.

Tusk ka sugjeruar që blloku mund të reflektojë edhe mbi klauzolën e mbrojtjes së ndërsjellë, Nenin 42.7 të traktatit të BE-së, pas largimit të kryeministrit hungarez, Viktor Orban, aleat i Rusisë.

“Ajo që ju nevojitet nëse doni të keni, jo vetëm në letër, një aleancë të vërtetë, janë mjete të vërteta dhe kompetenca të vërteta kur vjen puna te instrumentet e mbrojtjes dhe lëvizshmërinë e ushtrive nga njëri vend në tjetrin, etj. Është një problem shumë praktik për kohën e sotme”, ka thënë ai.

“Kjo është arsyeja pse fiksimi im dhe misioni im i tanishëm është të riintegroj Europën. Kjo do të thotë mbrojtje e përbashkët… një përpjekje e përbashkët për të mbrojtur kufijtë tanë lindorë”.

 

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com