Forca e Sigurisë së Kosovës. Foto: Shkodrane Dakaj/KALLXO.com
FSK e gatshme për ta ndihmuar Marokun në operacionin e kërkim-shpëtimit pas tërmetit shkatërrimtar
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka shprehur gatishmërinë që të ndihmojë në operacionin e kërkim-shpëtimit në Marok, vend ku tërmeti shkaktoi mbi 2 mijë viktima.
Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka thënë se Kosova është e gatshme të ndihmojë Marokun më të gjitha kapacitetet e saj.
“Në këto çaste të vështira për mbretin e Marokut, Mohammed VI dhe popullin maroken lutjet tona janë me ta. Ministrit Loudiyi i shprehim gatishmërinë tonë të plotë që të ofrojmë ndihmë me të gjitha kapacitetet tona të specializuara për kërkim-shpëtim dhe rimëkëmbje në zonat e prekura. Urojmë që numri i viktimave dhe dëmeve të jetë sa më i vogël, ndërsa familjeve të cilët kanë humbur më të dashurit e tyre u shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta. Lutemi që ta kaloni këtë sfidë të rëndë!” – thuhet në njoftimin në facebook të ministrisë së mbrojtës.
Numri i të vdekurve ka tejkaluar 2,000 nga një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.8 që goditi Marokun të premten mbrëma.
Sipas CNN, shifra e bën atë tërmetin më vdekjeprurës që ka goditur vendin e Afrikës Veriore në dekada.