Foto: KALLXO.com

Franca 'nuk i ndalon, por mund t’i vonojë' vizat për kosovarët

Franca nuk do ta pengojë liberalizimin e vizave të Kosovës, por mund ta lidhë atë me sistemin ETIAS, ngjashëm si rasti i Katarit dhe Kuvajtit, ka thënë një diplomat i BE-së për Prishtina Insight.

Franca nuk do ta pengojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, tha për Prishtina Insight një diplomat i Bashkimit Evropian, i cili preferoi të mbes anonim.

“Franca nuk ka probleme më me liberalizimin e vizave për Kosovën. Nuk ka kushtëzim ndaj Kosovës. Mendoj se nje konstatim i tillë është i ekzagjeruar”- tha të premten ky burim për PI. 

Javën e kaluar, në Kosovë u raportua se Franca propozoi lidhjen e procesit të liberalizimit të vizave me sistemin ETIAS dhe u mbështet nga Holanda, Belgjika, Suedia dhe Spanja.

Ky lajm i cili bëri bujë në Kosovë u perceptua si shenjë që qytetarët e Kosovës ende do të duhet të presin në radhë para ambasadave për t’u pajisur me vizë Schengen.

“Këshilli dëshiron që ETIAS të jetë plotësisht funksional për të kontrolluar kufijtë e tij, dhe kjo jo vetëm për Kosovën por për të gjitha vendet që duan liberalizimin e vizave me BE-në, si Katari dhe Kuvajti”- shtoi burimi.

Sistemi Evropian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit, ETIAS, është sistem për të forcuar kontrollet e sigurisë për njerëzit që udhëtojnë në BE nga vendet pa viza. Ai u propozua nga Komisioni Evropian në vitin 2016.

Holanda, një tjetër vend historikisht skeptik për liberalizimin e vizave për Kosovën, ende nuk ka marrë një vendim zyrtar. Përfaqësuesit holandezë në BE i thanë Prishtina Insight se, bazuar në raportin më të ri të Komisionit të BE-së, ata do të “vlerësojnë nëse Kosova i përmbush në mënyrë të qëndrueshme të gjitha standardet evropiane”.

“Sa i përket Holandës, përparimi në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit janë kushtet kryesore në këtë vlerësim”, tha të mërkurën zëdhënësi holandez i BE-së, Melle van Dijk.

“Për më tepër, ne do të duhet ta diskutojmë këtë vlerësim edhe me parlamentin tonë kombëtar përpara se të merret një vendim përfundimtar”, shtoi ai.

Komisioni i BE-së ka sqaruar për BIRN se propozimi i tij për liberalizimin e vizave nuk e lidh atë me ETIAS.

“Propozimi i Komisionit 2018 për liberalizimin e vizave për Kosovën nuk ka asnjë lidhje me ETIAS. Kjo do të hyjë në fuqi automatikisht për të gjitha vendet pa viza”- tha për BIRN zyrtari për media i Komisionit Evropian, Andrea Masini.

Këshilli e kushtëzoi ETIAS me procesin e liberalizimit të vizave për Katarin dhe Kuvajtin.

Në qershor, të dyja vendet e Gjirit morën përgjigje pozitive për liberalizimin e vizave nga Këshilli.

Por, sipas propozimit të Këshillit, liberalizimi i vizave për këto vende nuk duhet të zbatohet deri në fillimin efektiv të ETIAS.

Kuvajti dhe Katari janë partnerë të rëndësishëm ekonomikë për BE-në, veçanërisht në fushën e energjisë, thuhet ndër të tjera në propozimin  për liberalizim të vizave të Këshillit.

Qytetarët e Kosovës u zhgënjyen të enjten pasi kriteret e reja të papritura u përmendën në një takim të një grupi punues të BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Edhe eurodeputeti holandez, Thijs Reuten shprehu në Twitter zhgënjimin e tij.

“Thellësisht i turpëruar për qeverinë holandeze dhe katër të tjerët. Pasi Kosova i përmbushi të gjitha kërkesat në vitin 2018 + një vlerësim shtesë jashtëzakonisht pozitiv me kërkesën holandeze, ata gjetën një justifikim të ri për të shtyrë udhëtimin pa viza për Kosovën”- ka shkruar ai në Twitter.

“Franca tregon sërish synimet e saj reale kur bëhet fjalë për mbajtjen e premtimeve dhe lojën sipas rregullave. Përafërsisht 1 milion evropianët e fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimor pa viza po përdoren për politikën e brendshme, të mbështetur me lehtësi nga Holanda, Belgjika, Suedia dhe Spanja”-shtoi ai.

Qytetarët e rreth 60 vendeve mund të udhëtojnë pa viza në BE. ETIAS pritet të funksionalizohet deri në nëntor 2023.

Ky artikull fillimisht është publikuar në Prishtina Insight.