Fotoja brenda shkollës me përshëndetje ushtarake për Turqinë, reagon MAShT

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), ka reaguar lidhur me një fotografi e cila është publikuar në media, ku shihet një person i rritur dhe disa fëmijë në një shkollë në Prizren, me flamurin e shtetit turk dhe duke bërë përshëndetje ushtarake.

Fotografia e cila po qarkullon nëpër rrjetet sociale, ku shihen disa nxënës dhe një person i rritur tek sa japin përshëndetje ushtarake me flamurin e Turqisë.

MAShT njofton se gjatë ditës së sotme do të dërgojë inspektorët e arsimit në shkollën në fjalë për të marrë informacione zyrtare rreth këtij rasti në mënyrë që të marr masa.

Sipas tyre, shkollat nuk janë hapësira për aplikimin e asnjë lloj ideologjie.

“Shkollat nuk janë hapësira për aplikimin e asnjë lloj ideologjie dhe abuzimi në këtë formë me fëmijët është në kundërshtim me konventat ndërkombëtare dhe me ligjet e aplikueshme në Kosovë”, thuhet në reagimin e kësaj ministrie.

“MAShT fton mësimdhënësit, nxënësit, prindërit dhe gjithë komunitetin, që të reagojnë dhe ta paraqesin çdo rast të abuzimit me fëmijët, sepse vetëm në këtë mënyrë do të mund të mbrojmë fëmijët tanë nga çdo lloj rreziku që iu kanoset”, thuhet tutje njoftimin e MAShT-it.