Elshani: S`kishim qëllim t`i vrisnim 30 vetë për asnjë moment, por lirimin e territorit nga kriminelët

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonni e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani, tha se qëllimi i Policisë së Kosovës gjatë aksionit në Banjskë, nuk ka qenë vrasja e grupit sulmues, por lirimi i territorit nga grupi i armatosur.

Elshani tha se bastisjet dhe kontrollet në zona kanë përfunduar mirëpo nuk autorizohet lëvizja e mediave nëpër atë zonë pasi sipas tij ka ende mjete të pa eksploduara.

“Bastisjet, kontrollet e gjitha këto sa i përket zonës së banimit kanë përfundu, ne e kemi bërë një kontrollë konsiderojmë kogja të mirë edhe rrethit të malit, sidoqoftë nuk autorizohet lëvizja e juaj nëpër këtë vend sepse ka mundësi të kemi mjete të pa eksploduara sepse kemi gjetë shumë nëpër mal”- tha Elshani.

“Përsëri në ditët në vijim edhe sot do të kemi njësitet specializuara që në vende të caktuara do të bëjnë kërkime të ndryshme. Rreziku ende nuk ka kalu por që konsiderojmë se një numër i madh i këtyre pajisjeve dhe gjësendeve janë gjetur”- shtoi ai.

Ai ka treguar se barrikadat kanë qenë në një urë dhe se aty është vrarë polici Afrim Bunjaku.

“Në urë kanë qenë barrikadat, dhjetë metra në rrugë kryesore aty ku është vra edhe polici ynë. Mandej aty ka pasë një shkëmbim zjarri, kanë ardhë njësitet tjera dhe nga aty ka nisë, ndërsa njerëzit kanë qenë edhe veturat siç i keni pa nëpër video të cilat janë publiku nga ana jonë”.

Elshani tha se planifikimi prej policëve në vendin e ngjarjes ka qenë shumë i mirë teksa shtoi se nuk kanë pasur për qëllim që t`i vrisnin 30 vetë por lirimin dhe marrjen në kontrollë të territorit.

“Planifikimi prej policëve në vendin e ngjarjes këtu ka qenë shumë i mirë, konsideroj që ka qenë më e mira e mundshme  që është arritë, ne nuk kemi pas qëllim me i vra 30 vetë, për asnjë moment, asnjë jetë. Qëllimi ynë është me marrë territorin tonë që është i vendit tonë, me e rujtë me liru këtë vend prej grupeve dhe organizimeve kriminale që nuk duhet të jenë këtu dhe nëse gjatë atij procesi ka pasë të lënduar ose viktima ajo është pjesë e procesit mirëpo ne konsiderojmë që kemi arritë misionin tonë që me sa më pak dëme me arrit pjesën tonë”- ka deklaruar Elshani.

Zëvendësdrejtori tha se hetimet nuk kanë përfunduar dhe do të marrin kohë të gjatë për të kuptuar se çka ka qenë qëllimi i sulmuesve dhe përse ishte zgjedhur pikërisht Banjska si lokacion.

“Unë mendoj që hetimet nuk kanë me përfundu edhe një kohë të gjatë sepse edhe për neve është interesant pse ky vend me u zgjedh në këtë formë dhe se çka ka qenë qëllimi i këtyre njerëzve të armatosur që me arritë me këtë vend këtu, është një fshat i qetë turistik, njerëzit janë të mirë. Ndoshta për shkak të kufirit sepse logjistika ka mundësi të vijë nga ana e shtetit serb atje, por hetimet me siguri që do të  shkojnë më gjatë”- theksoi ai.

Më tej, Elshani ka shpjeguar se fshatarët nuk kanë pësuar ndonjë lëndim apo dëme teksa ka shtuar se edhe me personelin e manastirit kanë pasur bashkëpunim shumë të mirë.

“Është me rëndësi të them që në asnjë moment fshatarët nuk kanë qenë të lënduar apo dëme, është faktor që më ka çuditë. Kemi bo planifikimet tona ashtu siç kemi ditë. Banorët kanë qenë shumë të mirë, i kemi njoftë edhe më herët, nuk mund të them diçka për dorëzim të armëve apo diçka tjetër sepse ajo është pjesë e hetimeve por ajo qka mund të themi është se kemi pas një bashkëpunim shumë të mirë edhe me banorët edhe me personelin religjioz ku kanë qenë diku rreth 50 veta që kanë ardhë një natë më herët. Jemi mundu me u tregu sa më shumë të kujdesshëm”- tha Elshani.

Ai shtoi se në bashkëpunim kanë qenë edhe me EULEX-in dhe se çdo veprim e kanë bërë në koordinim me ta.

Pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, u vra, një tjetër u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.

Policia e Kosovës kishte rrethuar të dyshuarit, rreth 30 persona – pjesëtarë të grupit të armatosur terrorist që gjendeshin në manastirin e Banjskës, derisa sulmet ndaj njësiteve policore vazhduan edhe në mbrëmje.