Edi Rama, Foto: ABC News

Edi Rama 'injoron' zhvillimet në Partinë Demokratike

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka injoruar zhvillimet në Partinë Demokratike pas përjashtimit të ish-kryetari të PD-së Sali Berisha nga grupi parlamentar nga ana e kryetarit aktual të partisë, Lulzim Basha.

Pas seancës së parë të Kuvendit të Shqipërisë të legjislaturës së re, Rama nuk u përgjigj në pyetjet e gazetarëve për aktualitetin në PD.

Rama tha se Partia Socialiste nuk do të shikojë se çfarë ndodhë mbrapa.

“E kuptoni se sa e madhe është sfida jonë dhe sa të mëdha janë hallet e njerëzve. PS e ka të pamundur të shikojë nga lart poshtë siç po ndodhë në këtë moment. Ne jemi lart, jemi shumë përpara dhe nuk mund ta ulim kokën për të parë ç’po ndodhë prapa”, tha ai, duke mos komentuar as akuzat e Sali Berishes ndaj tij dhe Bashës.

I pyetur nëse tash do të munden të bashkëqeverisin PS-ja me PD-në, Rama tha se e kanë dorën e shtrirë për bashkëpunime.

“Unë jam shumë i përgatitur që të jem në lartësinë e fjalëve duke vënë shembullin i pari dhe duke u përmirësuar çdo ditë edhe në raport me ju. Jam shumë i vetëdijshëm që pa dashje, kam krijuar shqetësime për ju”, u tha ai mediave.

Edi Rama më herët kishte deklaruar se Sali Berisha “është dhëmballë e prishur e PD-së”.

Ish-kryetari i Partisë Demokratike në Shqipëri, Sali Berisha ka thënë se nuk do të tërhiqet dhe do të vazhdojë të jetë pjesë e grupit parlamentar të PD-së, një ditë pasi kreu aktual i PD-së Lulzim Basha e ka përjashtuar nga grupi.

Berisha këto zhvillime i quajti “pazare të fëlliqura” të kryeministrit Edi Rama dhe Lulzim Bashës.

Ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha dhe familjarëve të tij u është ndaluar hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas raportit te DASh-it, veprimet e Berishës në korrupsion kanë minuar demokracinë e Shqipërisë dhe ai me familjarët do caktohen si jo të përshtatshëm për hyrje në ShBA, vendim ky edhe i publikuar në faqen zyrtare të Departamentit të Shtetit.

Lulzim Basha flet për akuzat e Sali Berishës