Dyshohet se punëtori i Postës së Kosovës u sulmua me mjet të mprehtë në vendin e punës
Një person dyshohet se është lënduar sot më 09.07.2025, me mjet të mprehtë në vendin e tij të punës në Postën e Kosovës.
KALLXO.com mëson se ngjarja ka ndodhur paraditen e së mërkurës dhe i dyshuari gjithashtu sipas burimeve është punëtor i kësaj poste.
Gjithashtu gjatë mesditës, KALLXO.com ka kontaktuar me zyrtarë të kësaj poste pranë objektit kryesor të Postës së Kosovës në Prishtinë dhe të njëjtit nuk e kanë mohuar rastin, por kanë sugjeruar që informacionet për këtë rast të kërkohen përmes postës elektronike.
KALLXO.com ka dërguar pyetje në Zyrën për Media dhe në e-mailin zyrtar të Postës së Kosovës, por nuk ka marrë përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.
KALLXO.com ka mësuar jo zyrtarisht nga QKUK-ja, se i lënduari ka marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe është liruar në shtëpi.
Ndërkaq nga Policia e Kosove kanë thënë se sot rreth orës 09:00, kanë marrë informatën për një lëndim trupor të ndodhur në lagjen “Ulpiana” në Prishtinë.
Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë për Rajonin e Prishtinës, ka thënë për KALLXO.com, se një person dyshohet se është lënduar nga një mjet i mprehtë dhe ka marrë tretman mjekësor.
“Sot rreth orës 09:00, kemi marrë informatën për një lëndim trupor të ndodhur në lagjen Ulpiana në Prishtinë. Bazuar në të dhënat fillestare, në këtë rast nga një mjet i mprehtë dyshohet të jetë lënduar një person i cili është dërguar për trajtim mjekësor”- ka thënë zëdhënësja Ahmeti.
Ahmeti ka shtuar se Policia ka nisur një hetim lidhur me rrethanat e këtij rasti, i cili, sipas saj është cilësuar si lëndim i rëndë trupor.