Foto: Facebook / Qendra e Studentëve - Prishtinë

Dyshimet për prani të rojeve në dhoma të studenteve në konvikte, Policia inicion rast për ngacmim

Ditë më parë disa studente ishin ankuar për praninë e rojeve të konvikteve në dhomat e vajzave, në Qendrën e Studentëve.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Policia thotë se palët e përfshira janë intervistuar dhe në koordinim me prokurorin e shtetit është iniciuar rast për veprat – ngacmim, dhe – cenim i paprekshmërisë së banesave dhe objekteve.

“Ju njoftojmë se informata rreth këtij rasti është trajtuar nga ana e zyrtarëve policorë, janë intervistuar palët e përfshira dhe në koordinim me prokurorin e shtetit është iniciuar rast për veprat Ngacmim dhe Cenim i paprekshmërisë së banesave dhe objekteve”- thuhet në përgjigjen e Policisë për KALLXO.com.

Vlera Dani, studente e cila banon në konviktin numër 5, pak ditë më parë tregoi se roja i konviktit, sipas saj, në orët e vona të natës ishte i pranishëm në një nga dhomat e vajzave.

Këtë ajo e raportoi te drejtoria e Qendres së Studentëve.

“Unë kam dashtë me ba një ankesë te roja për një problem që ka ndodhë lart dhe kam shkuar poshtë, por roja nuk ishte aty. I kishte lënë dy vajza poshtë me ruajtë në vend të tij dhe morëm vesh që ai kishte shkuar në dhomë dhe ishte me tri vajza brenda”- tha Vlera Dani për RTK.

Në lidhje me këtë çështje ishte mbledhur në një takim drejtoria e Qendrës së Studentëve, e cila ka vendosur pezullimin e punëtorit të sigurimit.

“Komisioni disiplinor për punëtorin në fjalë ka marrë masën e pezullimit, derisa komisioni t’i shqyrtojë të gjitha faktet, ankesat, deklaratat e studentëve që kanë shprehur indinjatë ndaj këtij rasti dhe ndaj personit në fjalë” – ka thënë Fatmir Sfishta, drejtor i Qendrës së Studentëve.

Komisioni disiplinor ka afat ligjor një muaj që të marrë një vendim për masën disiplinore ndaj personit në fjalë.