Dy raste të dhunës në familje për 24 orë, të dy të dyshuarit dërgohen në psikiatri

Dy raste të dhunës në familje janë raportuar në Policinë e Kosovës në 24 orët e fundit.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës rastet kanë ndodhur në Prishtinë.

Në njërin rast dyshohet se një person ka ushtruar dhunë fizike në shtëpinë e tij. I dyshuari sipas raportit policor është i sëmurë mental dhe me vendim të prokurorit dhe me rekomandim të mjekut është ndaluar për tretman pesë ditor në psikiatri.

Në rastin tjetër dyshohet se nëna ka ushtruar dhunë psikike ndaj djalit të saj. Rastin në polici e ka dërguar babai i viktimës përkatësisht bashkëshorti i të dyshuarës.

I njëjti ka deklaruar se e dyshuara ka probleme psikike dhe e njëjta është dërguar për trajtim mjekësor në emergjencën psikiatrike.

Në çantën e të dyshuarës janë gjetur dy thika të cilat janë sekuestruar.

Lidhur me rastin është konsultuar prokurori i shtetit me vendim të së cilit e dyshuara pas intervistimit është dërguar në mbajtje.