Shemsedin Dreshaj në Kuvendin e Kosovës, 27 janar 2022

Dreshaj: Nuk luftohet pandemia me orë policore

Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj ka deklaruar se pandemia nuk luftohet me orë policore, por me masa shëndetësore.

Ai ka rekomanduar që të testohen dhe vaksinohen sa më shumë persona për të dalur nga situata epidemiologjike.

“Ju rekomandoj të testoni sa më shumë, vaksinoni sa me shumë jo vetëm në një pikë, por në shumë pika, e me ekipe mobile. Dalja nga kjo situatë është vaksinimi i sa më shumë personave”, ka thënë Dreshaj.

Deputeti i AAK-së ka rekomanduar që vaksinimi të bëhet obligativ, sidomos në institucionet publike.

“Ju rekomandoj që vaksinimin ta bëni obligativ, sidomos në institucione publike. Shumë më i arsyeshëm është kërkimi i pasaportës vaksinale në qendra tregtare në shkolla, në lokale të ndryshme gjë që kjo nuk është bërë e as nuk po bëhet”, ka thënë Dreshaj.

Tutje, ai tha që veprimi në ndalesat kufitare, me kusht të pajisjen me dozën e tretë të vaksinës  nuk është i qëlluar pasi sëmundjen e kemi brenda dhe i ka bërë thirrje kryeministrit të hapë kufijtë.

“Kërkimi i dozës së tretë nuk është i qëlluar sepse sëmundjen e kemi brenda. Kryeministër  hapni kufirin, sidomos me Shqipërinë”, ka shtuar ai.