Dosja - Çka raportuan policët që iu përgjigjën rastit të vrasjes së të riut në Podujevë?

Detaje të reja ka siguruar KALLXO.com nga dosja e plotë e raportit të policëve që i ishin përgjigjur rastit të 14 janarit 2024 për rrahjen brutale që përfundoi me fatalitet për të riun Lulzim Fejzullahu në Podujevë.

Dy policët të cilët i ishin përgjigjur informacionit, M. H. dhe E. Z. në bazë të dosjes që ka siguruar KALLXO.com, kishin shkuar në vendin e ngjarjes në orën 13:08. Në bazë të dokumentit-raportit si shënim zyrtar, të njëjtit kanë njoftuar që informacionin për një person të shtrirë në rrugën “Jusuf Gërvalla” e kishin pranuar rreth orës 13:06 minuta. 

Me të marrë informacionin policët kanë raportuar se janë nisur drejt vendit të ngjarjes dhe për dy minuta kanë qenë aty dhe kanë arritur që ta identifikojnë personin e shtrirë, viktimën tashmë Lulzim Fejzullahun. 

Përreth viktimës policët që i janë përgjigjur rastit kishin parë edhe disa persona të tjerë të cilët kishin raportuar rastin. 

Policët kanë njoftuar se kur kanë shkuar në vendin e ngjarjes kanë parë viktimën e shtrirë në tokë, me lëndime të rënda dhe një thikë në afërsi të tij. 

Tutje, në dosje thuhet se policët kanë njoftuar stacionin policor në Podujevë dhe kanë kërkuar edhe emergjencën, kjo e fundit kishte shkuar në vendin e ngjarjes në ora 13:13 minuta. 

“Fillimisht i është dhënë ndihma e parë dhe kanë vazhduar në drejtim të emergjencës për tretman të më tutjeshëm ku fillimisht i është dhënë tretmani në QKMF në Podujevë dhe më pas është vazhduar për në QKUK-Prishtinë së bashku me ekipin e policisë”- thuhet në raportin që ka siguruar KALLXO.com. 

Gjithmonë në bazë të dosjes që ka siguruar KALLXO.com që i përket Policisë së Kosovës, thuhet se policët M. H. dhe E. Z., kanë qëndruar në vendin e ngjarjes dhe kanë siguruar perimetrin derisa kanë ardhur njësia e hetuesve në nivel stacioni, në orën 13:28. 

Gjatë kohës sa kanë qenë në vendin e ngjarjes policët në nivel stacioni dhe hetuesit rajonal, është arritur që të sigurohen edhe pamjet nga disa kamera të cilat kanë qenë të vendosura aty afër.

Ka qenë pikërisht një fqinj aty që me vetëdëshirë u ka ofruar zyrtarëve policorë video-incizimet nga kamerat e vendosura ndërsa pasi janë shikuar të njëjtat është kuptuar se çafë ksihte ndodhur në vendngjarje.

“Jemi interesuar për rastin dhe kemi siguruar pamjet e kamerave të sigurisë nga një shtëpi në afërsi ku ka ndodhur rasti dhe pronari na ka dërguar pamjet e kamerave në të cilën vërehej edhe vetura Golf 6 me ngjyrë të zezë e që ka ardhur me shpejtësi te viktima Lulzim Fejzullahu dhe e ka goditur të njëjtin me pjesën e përparme të anës së djathtë dhe i njëjti është shtrirë për tokë dhe vërehet se Lulzimi ka pasur një mjet të fortë në dorë e më pas vërehet se nga vetura dalin dy persona ku njëri kishte qenë me mjet të fortë në dorë dhe e kanë goditur disa herë dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes”- kështu ka raportuar polici që ishte në vendin e ngjarjes në shënimin zyrtar që ka siguruar KALLXO.com nga dosja e rastit.

Tutje me të parë këtë ngjarje polici ka përmendur edhe faktin se kishin arritur që të identifikonin edhe targat e veturës dhe e kishin njoftuar bazën që vetura në momentin kur haset të ndalohet nga ekipet policore në terren. 

Gjatë kohës sa ishte duke u bërë shikimi i vendit të ngjarjes dhe marrja e provave e materialeve nga vendi i ngjarjes, polici M. H. ka njoftuar se kishte marrë një informacion nga pika statike në emergjencë se njëri nga të përfshirët në rast kishte pranuar tretman mjekësor dhe i njëjti më pas ishte dërguar në stacion policor ku ishte intervistuar në cilësinë e të dyshuarit. 

Në shënimet zyrtare të dosjes që ka siguruar KALLXO.com thuhet se njëri i dyshuar kishte përmendur një incident më datë 13 janar, dhe se ishte takuar një ditë më pas, më datë 14 me viktimën dhe se ky i fundit e kishte therur me thikë në pjesën e regjionit të gjurit.

Polici ka treguar në raport se pas marrjes së informacioneve nga terreni në orën 13:45 kanë njoftuar edhe prokuroren e krimeve të rënda dhe se të njëjtës i është dërguar edhe video-incizimi që ishte siguruar nga policët në vendin e ngjarjes. 

E njëjta kishte urdhëruar që rasti të inicohet si vrasje në tentativë. 

Një raport tjetër për veprimet e ndërmarra në vendin e ngjarjes e ka siguruar KALLXO.com, raport ky i dhënë nga hetuesit në nivel të stacionit të Podujevës. 

Në këtë dokument thuhet se pasi janë njoftuar rreth orës 13:17 nga ekipa e njësisë reaguese e përbërë nga dy zyrtarë policorë, tre hetuesit në nivel të stacionit kanë shkuar në vendin e ngjarjes. 

Në dosje thuhet se tutje i kanë thirrur edhe hetuesit në nivel rajonal si dhe forenzikën, meqenëse në vendin e ngjarjes ka pasur gjurmë gjaku e po ashtu një thikë. 

Forenzika në vendin e ngjarjes në bazë të dokumentit në vendin e ngjarjes ka shkuar rreth orës 15:45, ndërsa 20 minuta më vonë kanë shkuar edhe njësia e hetimeve rajonale, tre hetues rajonal. 

Pasi janë marrë provat materiale, video-incizimet në orën 16:30 ekipet janë larguar nga vendi i ngjarjes. 

Tutje të njëjtit kanë pranuar informacionin edhe se njëri nga të dyshuarit kishte pranuar tretman mjekësor e madje edhe kishte njoftuar për ngjarjen që kishte ndodhur një ditë më parë, por edhe ditën kritike. 

Pas marrjes së deklaratës së të dyshuarit kryesor, është arritur edhe identifikimi i personit të dytë të përfshirë në ngjarje dhe i njëjti ishte arrestuar në shtëpi dhe më pas ishte dërguar në stacion për intervistim. 

Veprimet e mëtejme të cilat janë ndërmarrë sipas të dhënave në dosje është njoftimi i prokurorit e më pas edhe urdhëri që kanë marrë nga prokurori për të mitur në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, i cili ka urdhëruar që të njëjtit të dërgohen në ndalim. 

Informacioni i parë që kishin marrë për ngjarjen hetuesit në nivel stacioni ishin se një person gjendej i shtrirë në tokë në “Rrugën – Jusuf Gërvalla” dhe se dyshohej që ishte therë me thikë, pasi afër viktimës ishte gjetur edhe një mjet i mprehtë – thikë. 

Ngjarja tragjike e Lulzim Fejzullahut më 15 janar nga ana e Policisë së Kosovës ishte raportuar si përleshje me thikë me ç’rast viktima ishte dërguar për trajtim mjekësor. 

Ngjarja mori kahje tjetër duke marrë edhe vëmendje tjetër kur u tha se viktima ka vdekur pasi ishte rrahur brutalisht nga dy persona të dyshuar të moshës së mitur. 

Madje në rrjete sociale u publikuan edhe pamjet e rrahjes brutale që iu bën të riut Lulzim Fejzullahu. 

Policia përgjatë nëntë ditëve vetëm një njoftim e pati për ngjarjen, atë të 15 janarit. Deri të hënën pasdite pas dhjetëra kërkesave që kishin nga ana e mediave Policia e Kosovës nuk dha asnjë sqarim se pse rasti ishte cilësuar si therje, kur në QKUK nuk ishte evidentuar që viktima kishte ndonjë plagë shpuese. 

Madje në një bisedë përmes telefonit me KALLXO.com, shefi i Repartit Intensiv, Shaqir Uka ka thënë se ishte çuditur kur kishte parë në media se viktima kishte qenë i therur me thikë. 

“Unë nuk e di kah ka dalë ai informacion, në asnjë dokument të lëshuar nga QKUK nuk evidentohet se viktima ka pasur plagë shpuese apo therje. Ai ka ardhur me trurin e vdekur, aparaturat e kanë mbajtë gjallë. Ka ardhur me lëndime në regjionin e kokës, lëndime të rënda. Kësi lloj lëndime munden me u bë në rast se ka goditje të forta apo edhe rrëzim prej ndonjë lartësie”- kishte shpjeguar doktori Uka për KALLXO.com. 

Policia në orët e mbrëmjes së 22 janarit i është përgjigjur KALLXO.com me një informacion plotësues duke thënë se i kishin marrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për të zbardhur rastin. 

Në Komunën e Podujevës gjatë ditës së djeshme u mbajt edhe mbledhja e Këshillit për Siguri në Bashkësi.

Aty u diskutua siguria në përgjithësi por edhe rasti specifik i vdekjes së Lulzim Fejzullahut. 

Kryetari i Podujevës pas mbledhjes mbajti edhe një konferencë para gazetarëve dhe nuk hezitoi që të ndajë informacione për të miturit në lidhje me të kaluarën e tyre. 

Pasi ngjarja u raportua si therje ndërsa rasti kishte të bënte me një rrahje brutale, tashmë për të shikuar nëse janë ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme, ka nisur edhe një hetim Inspektorati Policor i Kosovës.

“Duke ju referuar kërkesës suaj ju informojmë se lidhur me këtë rast Inspektorati Policor i Kosovës sipas detyrës zyrtare ka filluar një hetim preliminar që përfshin prëveç tjerash edhe grumbullimin e informacioneve shtesë rreth veprimeve të policisë si dhe sigurimin e të gjitha shkresave lidhur  me këtë rast”- thuhet në përgjigjen e IPK-së për KALLXO.com.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK