Dhuna ndaj fëmijës në çerdhen e Fushë Kosovës, Aktakuzë ndaj edukatoreve

Për rastin i cili ngjalli shumë reagime në publik, lidhur me ushtrimin e dhunës ndaj një fëmije 3 vjecar në çerdhen “Gëzimi ynë” nga edukatoret e këtij institucioni, prokuroria ka finalizuar dyshimet e saja duke ngritur aktakuzë.

Aktakuza e ngritur më 3 tetor të këtij viti, përshkruan veprimet me të cilat dy edukatoret, N. M. dhe N. H. kanë keqtrajtuar fëmiun N. N., në mëngjesin e 15 shtatorit, e për të cilat të njëjtat nuk e kanë pranuar fajësinë para prokurorisë.

Sipas dosjes së prokurorisë të siguruar nga Kallxo.com, e pandehura N. M. akuzohet se ka tërhequr zvarrë për krahë fëmiun deri tek tavolina e ushqimit për ta tentuar të ulej, ku shkon edhe e pandehura tjetër N. H. e cila e kap me forcë për krah, e tërheq lart dhe e dërgon në banjon e çerdhes.

Më këtë, prokuoria konsideron se është fyer dinjiteti i fëmiut në sytë e gjithë fëmijëve tjerë.

Tutje, sipas dosjes së prokurorisë, pasi e kishin futur nga dera e banjos, e kanë goditur me duar në kokë me ç’rast i kanë shkaktuar lëndime të lehta trupore me dëmtim të përkohshëm të shëndetit.

Lidhur me dëmtimet që i ka pësuar, ka edhe një raport të ekzaminimit klinik të ekspertit të Mjekësisë ligjore i bërë pas 4 ditësh nga ngjarja kritike, përshkruhet në aktakuzën e përfaqësuar nga prokurori Arianit Salihu.

Për këto veprime, të pandehurat ngarkohen me veprat penale “ Lëndim i lehtë trupor” nga neni 185, par. 3.1 lidhur me par. 1 pika 1.4 të Kodit Penal dhe “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” nga neni 195 lidhur me par. 1 të këtij Kodi.

Të pandehurat gjenden nën masën e paraburgimit, pas kërkesës së bërë nga prokuroria.

Ky rast ishte parë si i hiperbolizuar nga avokati i të pandehurës N. M., Bajram Zogiani  i cili kishte thënë se nuk ka pasur zvarritje të fëmiut, por ka qenë vetëm një ndalesë.

“Kjo çështje është duke u hiperbolizuar, duke u zmadhuar për së tepërmi, së pari nga mediat mandej edhe nga personat tjerë, veçanërisht prindërit e fëmijës” – kishte thënë avokati.

Lidhur me këtë rast, kishte reaguar edhe Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci  dhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ku Nagavci ishte shprehur thellësisht e shqetësuar për këtë rast, kurse Haxhiu kishte thënë se përmes Departamentit të Politikave të Shërbimeve Sociale dhe Familjare, do të ofrojë mbështetjen e nevojshme, për interesin më të mirë të fëmijës dhe familjes.