Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Dhuna ndaj 3 vjeçarit në çerdhen në Fushë Kosovë, reagon ministrja Nagavci

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, është deklaruar lidhur me rastin ku një qytetar postoi pamje të nipit të tij për të cilën deklaroi se është rrahur në çerdhen ‘Gëzimi Ynë’ në Fushë Kosovë.

Përmes një postimi në Facebook, e para e MASHTI-t e dënoi këtë akt.

“Thellësisht e shqetësuar nga pamjet e publikuara të një çerdheje në Fushë Kosovë. E dënoj ashpër dhunën e ushtruar ndaj një fëmije në këtë institucion parashkollor. Dhuna është e papranueshme andaj, pres që kushdo që ushtron dhunë të marrë dënimin e merituar”- ka shkruar Nagavci.

Sipas saj, ajo që është më shqetësuese sipas pamjeve të publikuara, është se nuk bëhet fjalë vetëm për një person por më shumë edukatore të përfshira në këtë rast e që e shton dyshimin se nuk është fenomen i izoluar.

Tutje, ministrja ka bërë të ditur se Inspektorati i Arsimit ndodhet në këtë institucion.

“…. Sapo të pranojmë raportin, do të ndërmarrim masa të menjëhershme”- ka bërë të ditur ministrja.

“MASHTI, komunat dhe në përgjithësi si institucione kemi obligim të kujdesemi e të sigurohemi për mirëqenien e të gjithë fëmijëve”- thuhet në fund të deklarimit të Nagavcit.

Këtë rast e ka dënuar edhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e cila është shprehur se përderisa tashmë organet e drejtësisë janë duke trajtuar rastin, Komuna e Fushë Kosovës përmes Qendrës për Punë Sociale, duhet të ofrojë çdo shërbim të saj në ndihmë të fëmijës dhe familjes.

“Që rastet e tilla të mos përsëriten, komunat duhet të vetëdijesohen për rëndësinë që kanë shërbimet në përgjithësi, dhe shërbimet sociale në veçanti, gjegjësisht qendrat për punë sociale. QPS-të bashkë me shkollat dhe kopshtet, dhe jo vetëm, janë institucionet të cilat mund të parandalojnë rastet e tilla”-ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Ajo gjithashtu ka deklaruar se Ministria e Drejtësisë, në përputhje me kompetencat – përmes Departamentit të Politikave të Shërbimeve Sociale dhe Familjare, do të ofrojë mbështetjen e nevojshme, për interesin më të mirë të fëmijës dhe familjes.

Më 18 shtator, një qytetar ka publikuar pamje të kamerave të çerdhes, të cilat, sipas tij, tregojnë se si edukatoret e rrahin dhe e tërheqin zvarrë nipin e tij 3-vjeçar.

Po ashtu, ai ka publikuar foto të fëmijës me lëndime në krahë.

Në lidhje me këtë rast, Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë në Rajonin e Prishtinës ka bërë të ditur se Policia në koordinim me prokurorinë, qendrën për punë sociale janë duke u marrë me këtë rast.