FOTO: KALLXO.com

Prokuroria kërkon paraburgim ndaj punëtoreve të çerdhes ‘Gëzimi Ynë’

Prokuroria ka parashtruar kërkesën për caktim e masës së paraburgimit për N.M. dhe N.H., edukatore dhe kuzhiniere në çerdhen “Gëzimi Ynë” në Fushë Kosovë, nën dyshimin se janë të përfshira në keqtrajtimin e një 3-vjeçari.

Të njëjtat dyshohen për veprat penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” dhe “Lëndimi i lehtë trupor”.

“Ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente, ndaj të pandehurave N.M. dhe N.H., për shkak të veprave penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, nga neni 195 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së dhe “Lëndimi i lehtë trupor”, nga neni 185 paragrafi 3, pika 3.1 lidhur me paragrafin 1, pika 1.4 të KPRK-së”- thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Sipas prokurorisë të njëjtat kanë vepruar me dashje e me qëllim të shkaktimit të lëndime të lehta trupore.

“Me dashje e me qëllim të shkaktimit të lëndimeve trupore, me forcë e kanë tërhequr për krahë të dëmtuarin e mitur, në atë mënyrë që i kanë shkaktuar lëndime të lehta trupore”- thuhet tutje në njoftimin e Prokurorisë

Ky rast ka ngjallur reagime të shumta pasi një qytetar kishte pretenduar se nipi i tij është rrahur në çerdhen publike “Gëzimi ynë” në Fushë-Kosovë.

Për këtë rast i njëjti në rrjeti e tij social Facebook kishte publikuar edhe disa pamje nga kamerat e sigurisë.

Po ashtu, ai ka publikuar foto të fëmijës me lëndime në krahë.

Bajram Zogiani, avokati i edukatores N.M. kishte deklaruar të martën se e gjithë cështja po hiperbolizohet.

Inspektorati i Arsimit, pas inspektimit emergjent në këtë institucion parashkollor ka rekomanduar suspendimin e të dyshuarve deri në zbardhjen e rastit.