Dhjetëra aksidente në 24 orët e fundit, tre prej tyre me viktima

62 aksidente janë shënuar në 24 orët e fundit sipas të dhënave të Policisë së Kosovës.

Nga këto aksidente tri kanë qenë me fatalitet, 20 me të lënduar e 39 me dëme materiale.

KALLXO.com raportoi për aksidentet që ndodhën gjatë ditës së djeshme në tri vende të ndryshme e ku si pasojë pati edhe viktima.

Pesë persona kanë vdekur në këto aksidente.

Dje pasdite u shënua fillimisht një aksident mes dy veturave në fshatin Llapnasellë në Graçanicë. Në aksident ishin përfshirë dy vetura.

Një grua ka vdekur në këtë aksident ndërsa njëri nga vozitësit ka pësuar lëndime.

Në lidhje me rastin policia kishte dalë në vendin e ngjarjes, me ta edhe hetuesit për trajtimin e rasteve të aksidenteve të trafikut.

Më pas ishte njoftuar edhe prokurori i shtetit, i cili mori vendim që vozitësi i dyshuar të arrestohet dhe të dërgohet në mbajtje.

Trupi i pajetë i gruas është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Dy aksidente të tjera u shënuan në orët e mbrëmjes. Fillimisht u raportua për një vetaksident në fshatin Shajkoc të Podujevës rreth orës 21:24.

Sipas policisë, vozitësi nga pakujdesia ka shkaktuar vetë aksident trafiku. Tutje policia ka njoftuar se vozitësi dhe një pasagjer kishin vdekur nga ky vet-aksident ndërsa pasagjeri tjetër ka pësuar lëndime dhe është dërguar për tretman mjekësor.

Me vendim të prokurorit trupat e pa jetë të viktimave dërgohen në IML për obduksion.

Një aksident tjetër u shënua në orët e mbrëmjes edhe në fshatin Ozdrim të Pejës. Rreth orës 21:28 policia kishte marrë informacion se një veturë ka goditur tre këmbësorë.

Dy nga ta kanë vdekur nga lëndimet e marra ndërsa këmbësori tjetër është dërguar për tretman mjekësor në QKUK.

I dyshuari për rastin është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje.

Policia në vazhdimësi ka apeluar pjesëmarrësit në trafik që tu përshtaten shenjave të komunikacionit dhe të kenë kujdes në trafik.