Spitali i Gjilanit
Detaje se si ranë në pranga dy mjekët e dyshuar për ryshfet në Gjilan
Një kirurg dhe një anesteziolog të Spitalit të Gjilanit janë arrestuar të shtunën në mbrëmje nga Policia nën dyshimin se kanë marrë qindra euro ryshfet nga familjarë të një pacienteje.
Të dielën, drejtori i Spitalit të Gjilanit, Arsim Emini, ka treguar për KALLXO.com se motra e një pacienteje e ka denoncuar rastin në Polici.
Ndërkaq, një burim nga familja e pacientes ka treguar hollësi rreth rastit.
Sipas burimit, pacientja ishte shtrirë në Spitalin e Gjilanit për shkak të një hernie.
Burimi thotë se rasti ka filluar kur mjeku i arrestuar i kishte kërkuar një familjari të pacientes 200 euro për t’ia caktuar një termin për operim.
Mjeku, sipas burimit, e kishte caktuar ditën e shtunë kur do të kryhej ndërhyrja.
Familjarët e kishin kontaktuar drejtorin e Spitalit, i cili, sipas tyre, u kishte thënë se të shtunën nuk kryhen ndërhyrje, me përjashtim të ndonjë rasti urgjent.
Dyshimet e familjarëve ishin shtuar kur mjeku kishte kërkuar që të blihej një rrjetë që i vendoset pacientit kur ka nevojë për ndërhyrje për shkak të hernies.
Ndonëse gjatësia e “plagës” ishte 4 cm, mjeku kishte kërkuar rrjetë me dimensione 30×30 cm.
Rrjetën 30×30 cm familja e kishte blerë rreth 330 euro. Kurse, familjarët pak para operimit të pacientes ishin takuar me mjekun në zyrën e tij dhe aty e kishin parë që nuk është rrjeta që familja e ka blerë por një tjetër, me dimensione 15×15 cm, që kushtonte rreth 50-70 euro.
Gjatë këtij takimi në zyrën e mjekut, një familjar pretendon se mjeku L.M. u kishte thënë se “e keni obligim që edhe anesteziologut H.B.me ia shti ne xhep 100 euro”.
Pas kësaj porosie, njëri prej familjarëve kishte thënë se i duhet të shkojë në bankë të tërheqë paratë dhe në vend të kësaj, familjari kishte shkuar në Polici.
Burimi thotë se Policia ka qenë tepër e shpejtë në reagim dhe brenda 10 minutave e ka rregulluar krejt çështjen.
Sipas burimit, Policia i ka fotografuar paratë dhe porsa ato u janë dorëzuar të dyshuarve ua ka zënë në xhep mjekut dhe anesteziologut.
Operacioni i Policisë është kryer pasi të pandehurit e kanë operuar pacienten dhe për të më pas janë përkujdesur mjekë të tjerë.
Ndërkaq, Prokuroria e Gjilanit ka kërkuar masën e paraburgimit për kirurgun dhe anesteziologun.