Spitali i Gjilanit

Si u kapën dy mjekët e dyshuar për ryshfet, flet drejtori i Spitalit të Gjilanit

Drejtori i Spitalit të Gjilanit, Arsim Emini ka folur për KALLXO.com lidhur me arrestimin e kirurgut dhe anesteziologut të këtij spitali, nën dyshimin se kanë marrë ryshfet.

Arrestimi i tyre, siç tha drejtori ka ndodhur mbrëmë, përderisa ata kanë qenë në orar të punës.

Informacionin për arrestimin e tyre, Emini tha se e ka marrë mbrëmë rreth orës 20:00, fillimisht nga motra e pacientes, e cila e ka bërë denoncimin, e më pas edhe nga policia.

“Motra e pacientes më ka lajmëru që i ka denoncu dhe janë arrestu. Më ka thanë që ta organizoj punën në spital, që pacientët të mos mbesin pa shërbime” – tha ai.

Pas kësaj, Emini tha se ka informuar edhe shefat e të arrestuarve, të cilët kanë dalë në vendin e punës për ta vazhduar kujdestarinë e lënë në gjysmë nga ta.

Drejtori shtoi se pasi që sot dhe nesër janë ditë pushimi, sapo të kthehet në punë të martën do të veprojë në sinkroni me policinë.

Ai nuk pranoi t’i bëjë të ditur emrat e të dyshuarve, duke thënë se përderisa policia nuk i ka publikuar, kjo mund të ndikojë në hetime.

Arrestohen dy mjekë në Gjilan, dyshohen për marrje ryshfeti për një ndërhyrje