Ilustrim - Grafika: Diar Vuçetaj

Gjilan, kirurgu i dyshuar për sulm ndaj kolegut ishte arrestuar dy herë për marrje ryshfeti

Kirurgu Luan Mustafa, i cili u arrestua nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht kolegun e tij, është emër i njohur për organet e drejtësisë.

Mustafa ishte arrestuar edhe vitin e kaluar dhe 10 vjet më parë për marrje ryshfeti.

Gjykata e Gjilanit konfirmoi se Luan Mustafa është në një procedurë gjyqësore për marrje ryshfeti.

I njëjti ishte suspenduar për një muaj pasi u arrestua vitin e kaluar dhe ka dy vërejtje me shkrim në dy vitet e fundit në Spitalin e Gjilanit.

Drejtori i këtij Spitali, Arsim Emini, tha për KALLXO.com se arsyet e incidentit nuk janë plotësisht të qarta. Por, Emini shtoi se kirurgu që dyshohet se u sulmua, Arbër Morina, ka raportuar disa herë në drejtori në cilësinë e shefit të Kirurgjisë për sjelljet e parregullta të Mustafës.

Këto shkelje, Emini tha se përfshijnë shkuarjen me vonesë në punë, sjellje vulgare, kapadaillëk, mungesë raportimi, mungesa në vizitën e mëngjesit e dalje pa leje nga puna.

“Shkaku i këtyre raportimeve me shkrim kam kërkuar që rasti të procedohet në komision disiplinor. Kur nga zyra e personelit është iniciuar procedura, është kërkuar një deklaratë me shkrim nga Luan Mustafa. Ai në vend të deklaratës me shkrim ka zgjedhur rrugën e qërimit verbal e fizik të hesapeve me shefin e tij në vend të punës” – tha drejtori Emini.

Teksa shpjegoi versionin e tij, kirurgu Morina tha gjëra të ngjashme për KALLXO.com.

Ai tha se që katër muaj e ka marrë pozitën e shefit të Kirurgjisë në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit dhe, sipas tij, kjo nuk po u pëlqen “disa personave”, andaj edhe është sulmuar fizikisht.

“Aty krimi i organizuar nuk është mësuar me hy në strukturën e udhëheqjes së pastër dhe të ndershme. Kriminelëve u pengon kjo punë. Pastaj ata organizohen dhe tentojnë të prishin punë. Dje kam qenë viktimë e një agresioni të paimagjinueshëm, por unë nuk do të ndalem. Unë jam i vendosur që Kirurgjinë e Gjilanit me çu përpara me çdo kusht” – tha Morina për KALLXO.com.

Ai thotë se që nga marrja e kësaj pozite (shef i repartit të Kirurgjisë), ka hasur në parregullsi të shumta, duke shtuar që ka identifikuar disa shkelje të bëra nga Mustafa, të cilat i ka dërguar në drejtorinë e Spitalit të Gjilanit.

“Ato parregullsi i kam adresuar me shkrim në drejtori. Personit në fjalë i janë identifikuar 4-5 shkelje të rënda, si profesionale, si morale apo edhe për mosbindje ndaj urdhrave të shefit. Pastaj ai është revoltuar dhe ka kërcënuar drejtorinë dhe në fund më ka pritur edhe mua. Dje kam pasë operacione gjatë tërë ditës, në ora 14:02 kur kam dalë prej sallës së operimit më ka pritur dhe ka hyrë në dhomën time, më ka kërcënuar dhe më ka sulmuar fizikisht” – ka thënë tutje Morina.

Tjetër version jep avokati i të dyshuarit, Isa Mustafa. Ai tha se ka qenë Morina ai që ka tentuar që ta largojë Mustafën nga zyra e tij, duke e shtyrë.

“Morina nuk ka asnjë dëshmi që klienti im e ka sulmuar. Klienti im ka shkuar të informohet për inicim të procedurës disiplinore kundër tij. As nuk i ka ofru me u ulë si kolegë që janë, vetëm e ka kapë edhe e ka shty, ia ka çelë derën, e ka shty me e qitë prej zyrës. Kjo është vërtetu edhe sot e patëm seancën për procedurë të mëtutjeshme. Zotëri Morina e ka pranu që disa herë ka tentu me e nxjerrë prej zyrës edhe në atë moment ai normal ka reagu edhe është ndi i provokuar. Jo ashtu siç thuhet se Morina është i gjakosur” – tha Mustafa.

Morina në një përgjigje tjetër për KALLXO.com mohoi ta ketë shtyrë kolegun e tij, por tha se ia ka hapur derën për ta larguar jashtë, në mënyrë që t’i ikë konfliktit.

Mustafa është suspenduar për tre muaj me 50 për qind të pagës.

Kjo masë e përkohshme është vendosur nga komisioni disiplinor i Spitalit të Gjilanit me procedurë të shpejtë, deri në kompletimin e dokumentacionit të plotë në lidhje me rastin.

Kështu konfirmoi për KALLXO.com, Drejtori i Spitalit të Gjilanit, Arsim Emini.

Drejtori tha se në bazë të Ligjit për zyrtarët publikë, me shkeljet e rënda merret Komisioni Disiplinor.

Prokuroria e Gjilanit ka kërkuar masën e arrestit shtëpiak për mjekun Luan Mustafa.

Por, Gjykata e Gjilanit ka vendosur për një masë më të butë – ndalim i afrimit personit apo vendit.

Luan Mustafa ishte dërguar në mbajtje me urdhër të Prokurorisë me dyshimin e kryerjes së veprës penale – lëndim i lehtë trupor.

Për këtë sulm, i dëmtuari ka pranuar tretman mjekësor.