Ky është vendimi i Gjykatës për kirurgun e Spitalit të Gjilanit që dyshohet për sulm fizik ndaj kolegut

Gjykata e Gjilanit ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë që për kirurgun Luan Mustafa të caktojë masën e arrestit shtëpiak.

Mustafa dyshohet se ka sulmuar kolegun e tij A.M. gjatë ditës së djeshme në Repartin e Kirurgjisë në Spitalin e Gjilanit.

Gjykatësi Veli Kryeziu vlerësoi se masa e ndalimit të afrimit të personit apo vendit është masa e duhur për të pandehurin Mustafa.

Për KALLXO.com këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i kësaj Gjykate, Sabit Shkodra.

Kirurgu Mustafa është suspenduar për tre muaj.

Kjo masë e përkohshme është vendosur nga Komisioni Disiplinor i Spitalit të Gjilanit me procedurë të shpejtë, deri në kompletimin e dokumentacionit të plotë në lidhje me rastin.

Kështu e ka konfirmuar për KALLXO.com drejtori i Spitalit të Gjilanit, Arsim Emini.

I dyshuari ishte dërguar në mbajtje me urdhër të Prokurorisë me dyshimin e kryerjes së veprës penale – lëndim i lehtë trupor.

“Referuar pyetjeve tuaja, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Gjilan, e ka ndaluar të dyshuarin L.M., në kohëzgjatje prej 48 orëve, për shkak të dyshimit se në Spitalin e Gjilanit ka kryer veprën penale ‘’Lëndimi i lehtë trupor’’” – thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për Kallxo.com.

Rasti është duke u trajtuar si – lëndim i lehtë trupor.

Nga të dhënat e Policisë mësohet se i dyshuari ishte larguar nga vendi i ngjarjes, kurse pas arrestimit ishte dërguar në mbajtje për 48 orë, kurse lidhur me rrethanat e rastit Policia është në hetime.