Kryeministri Albin Kurti dhe Sekretari të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg Foto:ZKM

Detaje nga takimi i kryeministrit Kurti me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg

Roli historik i NATO-s në Kosovë dhe kontributi i vazhdueshëm i misionit të KFOR-it për sigurinë dhe paqen në vend, krahas zhvillimeve të fundit në vend dhe rëndësisë së bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet institucioneve, ishin temat kryesore të takimit ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Sipas komunikatës së Zyrës së Kryeministrit, në fillim të takimit Kurti ka shprehur falënderimin dhe mirënjohjen e popullit dhe Qeverisë së Kosovës për kontributin e çmuar të NATO-s në Kosovë.

Ai po ashtu e ka njoftuar Sekretarin Stoltenberg për qeverisjen, rezultatet e prekshme, dhe për vëmendjen që u është kushtuar investimit në mbrojtje, arsim, shëndetësi dhe bujqësi.

Tutje sipas komunikatës, duke folur për situatën e sigurisë, veçanërisht në raport me rrezikun e përhershëm që Serbia paraqet për të, Kurti ka veçuar praninë e 48 bazave të përparme operacionale serbe përreth kufirit me Kosovën dhe sistemin kundër-ajror në afërsi të kufirit.

“Më këtë rast, Kryeministri listoi sistemet ushtarake të Serbisë që përfshijnë sistemin e modernizuar të raketave “FK-3” dhe “Pancir S1” si dhe sistemet tjera të raketave “Neva M1T” dhe “Kub M2 (SM)” të Brigadës 250 të ushtrisë serbe.  Ai tha se sistemi FK-3 është sistem raketor kinez, me të cilin në vitin 2022, Serbia u bë vendi i parë në Evropë që operon me armë kineze, e që përfshinë edhe dronët luftarak CH-92”- thuhet në komunikatë.

Po ashtu Kurti ka thënë se Forcat e Armatosura të Serbisë po ashtu kanë krijuar një njësi të veçantë për mbikëqyrjen e dronëve e cila si njësi operon në kuadër të Brigadës së 63-të të Parashutistëve të ushtrisë serbe.

Tutje sipas komunikatës, kryeministri Kurti kërkoi nga Sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg bashkëpunimin e ngushtë me NATO-n për paqen dhe sigurinë.

“Ai tha se përderisa viti i kaluar u përshkrua me barrikada të ngritura nga grupe kriminale që qëllim kishin t’u kundërviheshin rendit dhe ligjit (korrik dhe dhjetor 2022), ky vit ishte vit i sulmeve të dhunshme ndaj institucioneve të rendit dhe ligjit, vendore dhe ndërkombëtare, siç ishte rasti i 26 dhe 29 majit, pastaj rrëmbimi i policëve të Kosovës me 14 qershor e që kulmoi me agresionin e 24 shtatorit që cenoi sovranitetin shtetëror, integritetin territorial dhe sigurinë kombëtare”- thuhet në komuniktë.

Në lidhje me sulmin në Banjskë, Kurti ka ndarë me Sekretarin e NATO-s gjetje nga procesi i hetimeve të institucioneve vendore të sigurisë mbi rastin e sulmit terrorist dhe paramilitar të 24 shtatorit në Banjskë, ku humbi jetën rreshteri i Policisë së Kosovës, heroi i Kosovës, Afrim Bunjaku, por edhe mbi rastin e rrëmbimit të tre policëve të Kosovës brenda territorit të Republikës së Kosovës, me 14 qershor.

“Që konfirmojnë përfshirjen e drejtpërdrejtë të shtetit të Serbisë. Kryeministri tha se këto dy raste dëshmojnë nevojën për të rritur sigurinë sidomos përgjatë kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, teksa i bëri thirrje Sekretarit që NATO gjithashtu të dalë sa më parë me konkluzionet e hetimeve të saj të pavarura mbi rastin e rrëmbimit kriminal të tre policëve të Kosovës dhe sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit”- thuhet tuje në komunikatë.

Sipas komunikatës, në takim u fol edhe për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian dhe për takimin e 26 tetorit me liderët europianë në Bruksel.

“Kryeministri e njoftoi Sekretarin për mbarëvajtjen e atij takimi, dhe qëndrimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës kundruall planit evropiano-amerikan për rrugën përpara drejt zbatimit të plotë dhe pa kushte të Marrëveshjes Bazike. Me këtë rast, kryeministri Kurti nënvizoi edhe një herë rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Programin e NATO-s për Partneritet për Paqe, si dhe propozoi hapjen e një zyre diplomatike të Kosovës në NATO”- thuhet në komunikatë.

Sipas komunikatës, Sekretari Stoltenberg shprehu mirënjohjen e tij për koordinimin e institucioneve të sigurisë me KFOR-in, si dhe për mbështetjen që Qeveria dhe Republika e Kosovës i ka dhënë Ukrainës në përballje me agresionin ushtarak të Federatës Ruse, teksa sulmin e 24 shtatorit në Banjskë e quajti të tmerrshëm dhe të papranueshëm.

Stoltenberg sot ka qëndruar në Kosovë. Ai është takuar edhe me presidenten Vjosa Osmani, takim pas të cilit ka thënë se përgjegjësit për sulmin në Banjskë duhet të dalin para drejtësisë.

Shefi i NATO-s në Kosovë: Stabiliteti në rajon ka rëndësi për sigurinë tonë