
Shefi i NATO-s: Stabiliteti në rajon ka rëndësi për sigurinë tonë
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë vizitës në Kosovë ka thënë se stabiliteti në rajon ka rëndësi për “sigurinë tonë”.
Stoltenberg në një konferencë për media me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se kjo është arsyeja e investimit të NATO-s në sigurinë në rajon.
“Ne po investojmë në sigurinë në rajon, sepse siguria për njerëzit në këtë rajon, stabiliteti në këtë rajon ka rëndësi për sigurinë tonë”- tha ai.
Duke folur për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë, shefi i NATO-s tha se përgjegjësit duhet të dalin para drejtësisë.
“Në maj trupat e KFOR-it u sulmuan duke lënë 93 ushtarë të lënduar, disa të lënduar rëndë për tërë jetën. Sulmet e tilla janë te papranueshme, ata që janë përgjegjës duhet të japin llogari”, deklaroi Stoltenberg.
Ai theksoi se NATO nuk është institucion i zbatimit të ligjit, duke theksuar se për këtë arsye është Policia e Kosovës dhe EULEX-i.
“Këtë çështje do e ngris edhe në takimin e nesërm në Serbi dhe pres që përgjegjësit për këtë dhunë të papranueshme të mbahen përgjegjës”- shtoi Stoltenberg
Ai foli edhe për shtimin e trupave të NATO-s në Kosovë në kuadër të KFOR-it.
“Dhuna është e papranueshme, dhuna në maj dhe në shtator në Banjskë është arsyeja pse e kemi rritur praninë tonë dhe kemi dërguar një mijë trupa të tjerë që është vendosja më e madhe e trupave të KFOR-it për të paktën një dekadë”- deklaroi Stoltenberg.
Përmes këtij dislokimit të trupave, Stoltenberg thotë se kjo tregon se sa seriozisht po i marrin sulmet në maj dhe shtator.
Stoltenberg tha se ka mirëpritur propozimin e fundit për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Ky do ishte një hap kyç drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe drejt paqes afatgjate dhe të qëndrueshme në rajon”- shtoi Stoltenberg.