Foto: Gazmend Morina/facebook

Dënohet kryeshefi i kompanisë "Uniteti", punësoi njerëz pa konkurs

Kryeshefi ekzekutiv i Kompanisë Rajonale të Mbeturinave (KRM) “Uniteti” në Mitrovicë, Gazmend Morina, është dënuar nga Gjykata e Mitrovicës me 4 mijë euro gjobë për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com vetë Morina.

Ai ka thënë se respekton vendimin e gjykatës, por që shton se shpreson se ky do të jetë fillimi i ri për drejtësinë kosovare.

“Unë e respektoj vendimin e gjykatës që më ka dënuar me 4 mije euro gjobë, ku në vendim të gjykatës konstatohet se kam bërë tejkalim të autorizimeve zyrtare. Duke qenë rasti i parë në Kosove që dënohet pse kam punësuar 5 punëtorë me kontratë për shërbime të veçante pa shpallje të konkursit, shpresoj që ky do të jetë një fillim i ri për drejtësinë kosovare, për t’i trajtuar mijëra punësime në baza vjetore që bëhen me kontrata për shërbime të veçanta pa shpallje të konkursit”, ka thënë Morina.

Mirëpo ai ka mohuar raportimet në media se kinse e ka pranuar fajësinë për korrupsion.

“Jam i zhgënjyer me jo-profesionalizimin e disa medieve që kanë raportuar se kinse kam pranuar fajësinë për korrupsion, gjë që është e pavërtetë. I gjithë ky raportim joprofesional është bërë për arsye të konkurrencës mediale, pasi jam themelues dhe aksionar në një portal që nga viti 2013. Sidoqoftë, le të mbetet në ndërgjegjen e tyre”, shtoi tutje ai.

I pyetur se a do të vazhdojë të mbajë këtë post pavarësisht dënimit, Morina tha për KALLXO.com se do ta respektoj vendimin e gjykatës, “i cili e ngarkon me 4 mijë euro gjobë”.

Mirëpo kryesuesi i Bordit të kompanisë “Uniteti”, Mentor Lushtaku ka thënë se nuk kanë pranuar ende diçka zyrtare.

“Nuk kemi vendos diçka si bord, pasi nuk jemi takuar as si bord e as me kryeshefin. Nuk kam pranuar diçka zyrtare e as nuk kam informacione. Mbetet në ditët në vijim të shohim vendimin, edhe pse gjatë kohës sa ky dënim ka ndodhur kur nuk kam qenë as anëtar i Bordit as asgjë. Mirëpo në ditët e ardhshme të konstatohet se si do vazhdohet. Nuk kemi pasur kontakt me askënd se kam qenë edhe jashtë shtetit deri mbrëmë. Nuk jam në rrjedhja, e kam kuptuar nga mediat”, ka thënë ai për KALLXO.com.

Ndërlidhur më këtë, anëtari i Komisionit Komunal të Aksionarëve të KRM “Uniteti​”, Sami Latifi, ka thënë se do të kërkojnë raport shtesë prej Bordit për punët që ka bërë Morina.

“Unë jam për momentin në pushim jashtë vendit, por në momentin që kthehem do të kërkoj mbledhjen e parë të Komisionit të Aksionarëve, do të shikojmë se cilat janë mundësitë që ndërmarrim rreth këtij rasti. Edhe po ashtu, një raport shtesë prej Bordit për punën që e ka bërë ai, që ta dimë saktë çka është ka bëhet brenda”, tha Latifi.

KALLXO.com ka provuar që të marr një qëndrim edhe nga kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri. Por i njëjti nuk është përgjigjur deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.

Gazmend Morina ishte arrestuar më datën 1 gusht 2019 nga krimet ekonomike.

Ai dyshohej fillimisht se ka keqpërdorur pozitën zyrtare duke punësuar persona në kundërshtim me ligjin.

Morina dyshohet se punësimet i ka bërë nga data 12 shkurt deri më 1 gusht 2019.

Dyshimi se Morina ka punësuar persona në kundërshtim me kushtet ligjore sipas prokurorisë rrjedh nga të dhënat e theksuara në kallëzimin penal, deklaratat e dëshmitarëve por edhe nga vetë deklarata e të dyshuarit.

Ndaj tij ishte ngritur aktakuzë nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë.

Dosja e Prokurorise për Gazmend Morinën: Punësime pa kriter