Imran Khan, ish-kryeministër i Pakistanit

Pakistan - ish kryeministri Imran Khan dënohet me 14 vjet burg për korrupsion

Ish-kryeministri i Pakistanit, Imran Khan, është dënuar me 14 vjet burg për një rast korrupsioni, vetëm një ditë pasi u dënua me 10 vjet për nxjerrje të sekreteve shtetërore.

Gruaja e Khan, Bushra Bibi, gjithashtu u dënua me 14 vjet në këtë çështje, e njohur si Toshakhana. Që të dy u akuzuan për shitje të paligjshme të dhuratave shtetërore. Gjithashtu gjyqtari i ndaloi të dyve të ushtronin poste politike për 10 vjet.

Dënimi, i dhënë në një seancë dëgjimore të mbajtur në burgun e Rawalpindi ku po mbahet Khan, përkeqëson më tej gjendjen e ish-kryeministrit të rrethuar, i cili ndodhet në burg që nga gushti dhe përballet me mbi njëqind akuza të ndryshme. Gjykatësi kishte refuzuar kërkesën e avokatëve të Khan për t’i marrë në pyetje dëshmitarët në gjyq.

Bibi iu dorëzua autoriteteve në burgun Adiala në Rawalpindi të mërkurën në mëngjes.

Vendimi i Toshakhana ishte vetëm një ditë pasi një gjykatë speciale, e mbajtur gjithashtu në burg, e shpalli Khan fajtor për zbulimin e sekreteve shtetërore në lidhje me një kabllogram të ndjeshëm diplomatik që dyshohet se e kishte humbur në zotërim të tij. Khan e kishte përshkruar gjyqin si një mashtrim dhe avokatët thanë se ai do të apelojë kundër këtij vendimi.

Kjo kohë e të dy dënimeve të njëpasnjëshme u konsiderua si e rëndësishme nga vëzhguesit, pasi vjen vetëm një javë përpara se Pakistani të shkojë në zgjedhjet e përgjithshme të vonuara prej kohësh. Megjithëse Khan tashmë i është ndaluar të kandidojë, ai mbetet jashtëzakonisht i popullarizuar në mesin e votuesve.

Ky është dënimi i dytë i Khan në rastin Toshakaha, i cili lidhet me akuzat se ish-kryeministri bleu disa dhurata të dhëna nga sundimtarët dhe zyrtarët e qeverisë me çmime të ulëta dhe më pas i shiti ato për një fitim të padeklaruar. Khan kishte mohuar të gjitha keqbërjet.

Ai fillimisht u dënua me tri vjet në këtë rast në gusht, por pasi një gjykatë më e lartë hodhi poshtë vendimin, procedurat ligjore filluan përsëri pasi hetuesit paraqitën prova të reja në lidhje me bizhuteritë e dhëna nga princi i kurorës saudit dhe që dyshohet se mbaheshin nga Khan dhe gruaja e tij.

Të mërkurën, gjykatësi lëshoi një dënim edhe më të rëndë kundër Khan dhe gruas së tij, i cili përfshinte një gjobë kolektive prej 787 milionë rupi (rreth 9.5 milionë dollarë).

Khan, i cili u rrëzua nga pushteti në vitin 2022, ka thënë se rastet në rritje kundër tij janë të motivuara politikisht.

Që kur u hoq nga detyra në një votë mosbesimi, Khan filloi ta kritikonte publikisht ushtrinë e fuqishme të vendit e cila është akuzuar prej kohësh për ndërhyrje në politikë. Ai pretendon se udhëheqja ushtarake ka një “mëri” kundër tij dhe se po orkestron burgosjen e tij në mënyrë që ai të mos mund të kandidojë në zgjedhje./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala