Suspendohet kryetarja e Gjykatës së Mitrovicës pas pjesëmarrjes në takimin e organizuar nga Vuçiq

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) ka suspenduar kryetaren e Gjykatës Themelore të Mitrovicës, Liljana Stevanoviq, deri në një vendim të radhës.

“Në fund, Këshilli vazhdoi takimin me dy (2) pika të mbyllura për: shqyrtimin e njoftimit AGJ.nr.93/2022 të Kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë si dhe themelimin e panelit hetimor për rastin disiplinor Nr.AD/KGJK/07/2022/GJTHPR-AD/GJTHPR.nr.12/2022, me ç’rast vendosi për suspendim të Kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, L.S, deri në vendimin e rradhës”, thuhet në njoftim.

KGjK ka bërë të ditur dje se është duke u shqyrtuar çështjen e pjesëmarrjes së kryetares së Gjykatës Themelore të Mitrovicës, Liljana Stevanoviq, në takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq si dhe me Millan Radojiçiqin, njeriun e kërkuar nga autoritetet kosovare për korrupsion.

Në një fotografi, e cila është duke qarkulluar në rrjete sociale, janë parë disa përfaqësues të institucioneve të Kosovës në një takim të thirrur nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Sigurisë. Lidhur me këtë çështje, KGjK ka njoftuar se Enver Peci, si autoritet kompetent për të gjithë kryetarët e gjykatave, është duke e shqyrtuar çështjen.

“Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, si autoritet kompetent për të gjithë kryetarët e gjykatave, e ka njoftuar Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK), se është duke e shqyrtuar çështjen e pjesëmarrjes së Kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Liljana Stevanović në takim me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuciq”, thuhet në komunikatën e KGjK-së.

Po ashtu, në këtë takim janë parë edhe pesë eprorë të Policisë së Kosovës në veri.KALLXO.com ka siguruar një fotografi në të cilën shihen në takim me Vuçiqin disa eprorë të Policisë të cilët punojnë në zonën e veriut të Kosovës.

Në të njëjtin takim, sipas mediave serbe, ku mori pjesë edhe i kërkuari tashmë për rastin “Brezovica” Millan Radojiçiq, u diskutua edhe mbajtja e zgjedhjeve serbe në Kosovë.

Eprorët e Policisë së Kosovës rreshtohen para Milan Radojiçiqit dhe Aleksandar Vuçiqit – FOTO