Universiteti i Mitrovicës "Isa Boletini"

Gjykata urdhëron Universitetin e Mitrovicës ta pezullojë zbatimin e vendimit për zgjedhjen e rektores

Gjykata Themelore në Mitrovicë ka urdhëruar Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini” ta pezullojë zbatimin e vendimit për zgjedhjen e Nurtene Devas, rektore e universitetit.

Në aktvendimin e Themelores aprovohet si i bazuar propozimi i paditësit, Izet Zeqiri.

Paditësi ka pretenduar se Deva është zgjedhur në mënyrë të paligjshme rektore e universitetit me datë 22.03.2024.

Sipas tij, futja e Nurtene Devës në listën e kandidatëve për rektor është e diskriminuese dhe cenon barazinë para ligjit.

“Pasi që unë dhe dy kandidatë të tjerë kemi dorëzuar dokumentacionin e kërkuar sipas kritereve të konkursit, duke përfshirë edhe vërtetimin nga gjykata se nuk jemi të dënuar dhe vërtetimin mbi përvojën menaxheriale, ndërsa Nurtene Deva këtë gjë nuk e ka bërë, mirëpo përsëri Këshilli Drejtues e ka futur në listën e kandidatëve për rektor. Kjo paraqet situatë diskriminuese ndaj kandidatëve të tjerë me çka është cënuar rëndë parimi i barazisë para ligjit”- thuhet në arsyetimin e aktvendimit.

Gjykata erdhi në përfundim se propozimi i Tahirit është i bazuar dhe se kjo kërkesë është e besushme.

“Nga leximi i Konkursit për përzgjedhjen e rektorit të Universitetit ‘Isa Boletini’ në Mitrovicë me numër protokolli 241 të datës 07.02.2024, rezulton se kërkesës për aplikim duhet t’ia bashkëngjisin këto dokumente: biografinë e shkurtër, certifikatën e lindjes, dokumentet e identifikimit, kopjen e diplomave apo dëshminë mbi përfundimin e studimeve pasuniveristare, vendimin /certifikatën apo ekuivalente të titullit akademik, përmbledhjen e përvojës akademike dhe përvojën menaxheriale në arsimin e lartë, dëshminë që nuk është i dënuar për ndonjë vepër penale”- thuhet tutje në aktvendim.

Komisioni profesional për përcaktimin e listës për rektor në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë, në pikën II të raportit ka konstatuar se tre nga katër kandidatët që kanë konkurruar për rektor i plotësojnë kushtet formale dhe kanë dorëzuar dokumentacionin sipas konkursit.

Sipas këtij komisioni, prof. Nurtene Deva “nuk i  plotëson kushtet për arsye se në dosje mungon dëshmia nga gjykata kompetente se nuk është e dënuar për ndonjë vepër penale”.

Kandidatja thuhet se ka sjell vetëm dëshminë e policisë ku vërtetohet se nuk ka dosje penale në sistemin informativ të policisë së Kosovës.

“Në dispozitivin e III-të pikës e 4-të Raportit, Komisioni Profesional ka konstatuar se prof.dr. Nurtene Deva, ka thirrjen akademike, përvojën në mësimdhënie dhe publikime shkencore, e njëjta nuk asnjë dëshmi se është e angazhuar në ndonjë parti politike. E njëjta ka përvojë menaxhuese, ngase në të kaluarën ka mbajtur pozitën e anëtares së Këshillit Drejtues të UIBM edhe pse për të njëjtën nuk ka ndonjë dëshmi në dosjen e aplikimit (fizike apo elektronike) si dhe Drejtoreshë e Qendrës për Zhvillim dhe Edukim Profesional  në UIBM. Në dosje i mungon edhe dëshmia nga Gjykata Kompetente se nuk është e dënuar për ndonjë vepër penale. Kandidatja ka sjell vetëm dëshmi të policisë sipas së cilës vërtetohet se nuk ka dosje penale në Sistemin Informativ të Policisë së Kosovës”- thuhet në aktvendim.

Si përfundim gjykata vlerëson se Deva me ushtrimin e kompetencave të parapara me statusin e UIBM do t’i sillte dëme të pariparueshme edhe vetë universitetit.

Gjykata vendosi se “masa e sigurimit e caktuar me vendim të gjykatës (02.04.2024) mbetet në fuqi deri sa mos të jepet vendim tjetër mbi masën e sigurimit”.