Gjykata e Mitrovicës në veri, Foto: KALLXO.com

Vetëvrasja e 19-vjeçares në Mitrovicë, OJQ "Fourth Wave" kërkon që rasti të kthehet në rigjykim

Organizata joqeveritare “Fourth Wave” nga Mitrovica përmes një aksioni simbolik ka kërkuar që rasti i vetëvrasjes së 19-vjeçares B.Y. të kthehet në rigjykim.

Bëhet fjalë për rastin ku Gjykata e Mitrovicës pati liruar më 16.10.2023 nga akuza të pandehurin L.Sh., i akuzuar për shtytje në vetëvrasje të B.Y.

Në “flamurin” e vendosur nga organizata “Fourth Wave” thuhet se shtytësit në vetëvrasje duhet të dënohen dhe rasti i B.Y. të kthehet në rigjykim.

OJQ thotë se do ta ngrenë zërin e do të luftojmë derisa drejtësia të vendoset dhe gratë të mund të jetojnë një jetë pa frikë dhe terror.

“B.Y., vajza 19-vjeçare nga fshati Vinarc i Mitrovicës, u vetvra për shkak të presionit psikologjik nga i fejuari i saj. Pavarësisht provave të qarta që e bëjnë atë fajtor në vetëvrasjen e saj, ai u shpall i pafajshëm në gjyq. Ky rast është epitoma e dështimeve sistematike të sistemit të drejtësisë në trajtimin e dhunës me bazë gjinore dhe mbajtjen e autorëve përgjegjës”- thuhet në njoftimin në Facebok.

Ndryshe, në seancën që ështe mbajtur më 16.10.2023, gjykatësi Xhemajl Jusufi pati thënë se i pandehuri është liruar nga akuza me arsyetimin se nuk është vërtetuar dyshimi i bazuar mirë.

“I pandehuri L.Sh. lirohet nga akuza për shkak se nuk është vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë se në periudhën kohore nga data 30.12.2021 deri me datë 08.09.2022 në një fshat të Mitrovicës, me sjelljet dhe veprimet e tij ka nxitur persona të tjerë për të kryer vetëvrasje, gjegjësisht të fejuarën e tij, tani të ndjerën B.Y.” – ka thënë gjykatësi.

Gjykatësi pati theksuar se i pandehuri akuzohet se ka ushtruar presion psikik ndaj tashmë të ndjerës dhe se ajo ka kryer vetëvrasje pas kontaktit të drejtpërdrejtë më të pandehurin përmes një videoje.

“Ashtu që gjatë lidhjes së tyre, pastaj edhe gjatë fejesës me të ndjerën, të njëjtën vazhdimisht e kishte rrahë dhe keqtrajtuar, e kishte kanosur, ndaluar që të punojë, të shoqërohet dhe të vizitojë farefisin, gjëra të cilat e ndjera ka mundur t’i bëjë vetëm me pëlqimin dhe miratimin e tij, ndërsa kanosjet dhe ndalimet kishin vazhduar edhe pas largimit të të pandehurit për në Gjermani. I pandehuri kishte punuar për disa muaj, e këto veprime dhe sjellje të të pandehurit kanë shkaktuar tension të lartë psikik tek e ndjera B.Y., saqë e njëjta me datë 8.9.2022, pasi që kontakton të pandehurin direkt me video përmes telefonit kryen vetëvrasje” – kishte theksuar gjykatësi duke lexuar atë për çka akuzohej i pandehuri.