KGJK e kthen në punë kryetaren e Gjykatës në Mitrovicë që u takua me Vuçiqin

Vendimi për suspendimin e Kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Ljiljana Stevanoviq, është revokuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK).

Kjo pasi që Këshilli e ka miratuar marrëveshjen e arritur në mes të kryetares Stevanoviq dhe Panelit Hetimor, me të cilën është mbyllur çështja disiplinore.

Ndërkaq, lidhur me masën disiplinore që është arritur sipas marrëveshjes, KGJK nuk mund të deklarohet pasi që ende nuk kanë përfunduar afatet për njoftim.

Liljana Stevanoviq ishte suspenduar më 24 mars 2022 pasi ajo kishte marrë pjesë në një takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq si dhe me Millan Radojiçiqin, njeriun e kërkuar nga autoritetet kosovare për korrupsion.

Lidhur me suspendimin e saj dhe me vendimin e Qeverisë së Kosovës për moslejimin e organizimit të zgjedhjeve serbe në Kosovës, serbët e Kosovës kishin organizuar protesta një ditë pas marrjes së vendimit së KGjK-së.

Përveç saj, në një fotografi të cilën KALLXO.com e ka siguruar janë parë disa përfaqësues të institucioneve të Kosovës në një takim të thirrur nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Sigurisë.

Në mesin e tyre ishte edhe Milan Radojiçiqi, i kërkuar nga Policia e Kosovës.

KGjK: Vendimi për suspendimin e gjyqtares Stevantoviq është marrë pa asnjë ndikim politik