Coronavirusi: Avdullah Hoti premton pagesat shtesë për stafin shëndetësor

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë do të sigurohet pagesa shtesë për stafin shëndetësor që janë duke punuar deri 15 orë në ditë në këto ditë kur Kosova ka hyrë në listën e vendeve të prekura me coronavirus.

“Është adresuar kjo çështje, në mbledhje e ardhshme të Qeverisë edhe kjo rregullohet. Edhe për të siguruar pagesat shtesë për stafin shëndetësor që është duke punuar 15 orë”, ka thënë Hoti në një konferencë për media.

Në Kosovë janë konfirmuar 5 raste me Coronavirus, tri raste në Viti, një në Malishevë dhe një në Klinë. Personat e parë të prekur kishin ardhur nga Italia në Kosovë.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për ndalimin e hyrje daljeve nga tri komunat ku janë shënuar rastet e para me coronavirus ndërsa janë izoluar të gjithë personat të cilët kanë pasur kontakt me personat e prekur me coronavirus.

Si masa parandaluese, Qeveria e Kosovës ka mbyllur të gjitha restorantet, pubet, qendrat tregtare, kafiteritë, ka pezulluar aktivitetet kulturore, ka ndaluar transportit tokësor dhe ndërkombëtar për të gjithë personat që hyjnë në Kosovë, ka ndaluar transportin ndër-urban, etj.

Gjatë ditës së djeshme, BIK-u ka ndaluar faljen e namazit ditor dhe xhumasë në xhami.