Ilustrim

Buxheti i vitit 2024, shumica e mjeteve për rrugët nacionale janë të bartura nga viti 2023

Shumica e buxhetit 2024 të planifikuar nga Qeveria e Kosovës për t’u shpenzuar në rrugët nacionale është buxhet i bartur nga viti paraprak.

Më 31 tetor Qeveria e Kosovës ka miratuar në parim buxhetin për vitin 2024, i cili pritet të jetë 3 miliardë e 314 milionë euro.

Për zgjerimin e rrugës magjistrale Prishtinë – Mitrovicë për vitin 2024 është planifikuar të shpenzohen 14.5 milionë euro. Të gjitha këto mjete janë të bartura nga viti 2023.

Për zgjerimin dhe rehabilitimin e rrugës magjistrale Prishtinë – Pejë është paraparë të shpenzohen më 2024 17 milionë euro. Po ashtu edhe për këtë projekt të gjitha mjetet janë bartur nga viti paraprak.

10 milionë euro të tjera janë planifikuar të shpenzohen për zgjerimin e rrugës Dollc-Gjakovë. Të gjitha mjetet janë po ashtu të bartura nga viti 2023.

Për rehabilitimin e rrugës rajonale Zhur – Dragash – Brod është parashikuar të shpenzohen 1 milion euro. Si projektet e mësipërme, edhe për këtë projekt mjetet janë të bartura.

Ndërsa për rehabilitimin e rrugës nacionale N9, segmenti Pejë – Kuqishtë – Qakorr është paraparë shpenzimi i 2 milionë eurove. Po ashtu edhe këto të bartura.

Kurse për rehabilitimin e rrugës nacionale Vushtrri – Skenderaj nuk ka mjete të bartura nga viti paraprak. Për këtë projekt janë ndarë 300 mijë euro për t’u shpenzuar në vitin 2024.

Ndërsa për rehabilitimin e rrugëve rajonale janë ndarë 6 milionë euro për vitin 2024, të gjitha të bartura nga viti 2023.

Sipas kryeministrit Albin Kurti, nga buxheti total i 2024-ës në vlerë 3 miliardë e 314 milionë euro, 860 milionë janë për investime kapitale. Po ashtu, Kurti ka informuar se 742 milionë euro buxhet do të ndahen për komunat në buxhetin e vitit 2024.

Ky buxhet tani do i procedohet Kuvendit të Kosovës për miratim, ndërsa buxheti i Kosovës në vitin 2023 ka qenë 3 miliardë e 212 milionë euro.

Buxheti i 2024 – Mbi 850 milionë për investime kapitale e 742 milionë për komunat

www.kallxo.com