Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi (majtas) i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak dhe kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq./Grafika:REL

Bislimi dhe Petkoviq priten në takim nga Lajçak të enjten e ardhshme

Emisari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak do të presë një takim në nivel të kryenegociatorëve në Bruksel të enjten e ardhshme.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e BE-së, Zoi Muletier, e cila tha se takimi i Lajçak me zëvendëskryeministrin e Kosovës Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç nga pala serbe, do të fokusohet në hapat e ardhshëm në procesin e normalizimit dhe zbatimin e angazhimeve të palëve në dialog.

“Mund të konfirmojmë se emisari Lajçak do të presë një takim në nivel të kryenegociatorëve në Bruksel të enjten e ardhshme. Takimi do të fokusohet në hapat e ardhshëm në procesin e normalizimit dhe zbatimin e angazhimeve të palëve në dialog” – tha Muletier për KALLXO.com.

Ky raund i ri i dialogut vjen pas vizitës së emisarit Lajçak në Kosovë të hënën dhe të martën, pas takimeve që pati me zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi, me liderë të partive opozitare dhe me ambasadorë të akredituar në Kosovë. Gjatë kësaj vizite, Lajçak nuk u takua me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Bislimi dhe emisari i BE-së në takimin që kanë zhvilluar të hënën kanë diskutuar në lidhje me të gjitha aspektet e ndërlidhura me zbatimin e plotë të Marrëveshjes bazike të Brukselit dhe aneksit implementues të Ohrit.

Kurse, pas takimit me opozitën, përderisa liderët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, kërkuan të dijnë më shumë detaje në lidhje me draft-statutin e Asocaicionit të Komunave me shumicë serbe, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se opozitarëve u është prezantuar dokumenti dhe se e kanë lexuar në tërësi.

Vizita e emisarit Lajçak në Kosovë ishte rreth dhjetë ditë pas takimeve të fundit në Bruksel më 26 tetor.

Në ato takime, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq u takuan ndaras me krerët e Gjermanisë, Francës, Italisë por edhe përfaqësues të lartë të BE-së.

Pas takimit, ai deklaroi se ishte i gatshëm për ta nënshkruar propozimin që i ishte dorëzuar më 21 tetor nga pesëshja e madhe, që përfshinte një draft statut të vetëmenaxhimit.

Një ditë pas këtij takimi, Kurti para gazetarëve theksoi se drafti për vetëmenaxhimin, i paraqitur nga emisarët europianë e amerikanë, do të kontrollohej menjëherë nga Gjykata Kushtetuese për ta vlerësuar kushtetutshmërinë, nëse do të nënshkruhej në Bruksel.

Ai u shpreh se drafti është shkruar me kujdes ndaj strukturës së Kushtetutës, teksa shtoi se Kosova është e përkushtuar për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe njohje reciproke.

Se Kushtetuesja do ta japë një vlerësim para se drafti të hyjë në fuqi, e konfirmoi edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier të hënën.

Hovenier në një konferencë për media tha se draft-statuti është përgatitur në atë mënyrë që të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“Më lejoni të ju rikujtojë qëndrimin e SHBA-ve në atë se si duhet të jetë Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, e kemi thënë shumë herë, duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, nuk duhet të kërkohen ndryshime kushtetuese, duhet të jetë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive, nuk duhet të ketë nivel tjetër të qeverisjes, duhet të jetë në përputhje me pikëpamjet që janë prezantuar në janar nga Këshilltari i departamentit të shtetit Derek Chollet dhe emisarit për Ballkanin, Gabriel Escobar”- ka thënë Hovenier.

Ai nënvizoi se shumë njerëz të cilët ende nuk e kanë parë draftin po komentojnë atë përderisa ka ritheksuar se Asociacioni nuk ka kompetenca ekzekutive dhe në këto rrethana nuk mund të ketë autonomi.

SHBA-të dhe BE-ja i kanë propozuar Kosovës një draft-statut për formimin e Asociacionit – një marrëveshje që rrjedh nga dialogu Kosovë-Serbi, propozim të cilin e ka pranuar kryeministri Albin Kurti.

Dokumenti ende nuk është bërë publik zyrtarisht.