Haradinaj demanton kolegët opozitarë: E kemi lexuar në tërësi draft-statutin e Asociacionit

Kryetari i Aleancës për Ardhërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka pasur deklarata të ndryshme nga kolegët e tij opozitarë, pas takimit me emisarin e Bashkimit Europian, Mirosllav Lajçak.

Ndryshe nga kolegët e tij, Haradinaj tha se në takim kanë pasur mundësi që siç tha ai “të njoftohemi me dokumentin e draft-statutit që ta lexojmë në tërësi edhe të zhvillojmë një bisedë në lidhje me hapat e mëtejmë që e presin Kosovën”.

“Sapo përfunduam një takim me përfaqësuesin e BE-së për dialog, Lajçak por edhe me ekspertë të tjerë që ishin me të, po ashtu patëm mundësinë që të njoftohemi me dokumentin e draft-statutit që ta lexojmë në tërësi edhe të zhvillojmë një bisedë në lidhje me hapat e mëtejmë që e presin Kosovën dhe atë çka mund të presë Kosova po ashtu pas implementimit të obligimeve që i ka marrë në bazë të planit frako-gjerman”- deklaroi Haradinaj.

Ai tha se drafti i shpjegon të të gjitha mundësitë që asociacioni ia jep komunave me shumicë serbe dhe se sipas kryetarit të AAK-së, çdo herë i referohet  Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

“E kemi lexuar draftin në tërësi, drafti i shpjegon të gjitha mundësitë që asociacioni ia jep komunave me shumicë serbe, kuptohet çdo herë i referohet  Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Në këtë draft nuk ndryshohen përgjegjësitë e komunave, komentet se a pajtohemi më këtë draft do ti japim për shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese. Në hyrje të dokumentit shpjegohet se drafti duhet të shqyrtohet nga Kushtetuesja dhe të gjitha aktet tjera”- tha Haradinaj.

“Ajo që për mua është me rëndësi në implementimin pas shqyrtimit në Gjykatën Kushtetuese, me implementimin e Asociacionit, Kosova e bën një hap përpara dhe mundem me thënë se është kompromis i madh i Kosovës që buron nga obligimi i marrë shumë më herët edhe Kosova me të drejtë kërkon një procedurë të shpejtë për anëtarësim në NATO”- shtoi ai.

Paraprakisht, kreu i PDK-së, Memli Krasniqi deklaroi se nuk kanë pasur mundësi ta konsultojnë tekstin integral, teksa tha se shqetësimet e tyre vazhdojë të jenë prezentë pasi sipas tij “dreqi fshihet në detaje”.

“Shqetësimet tona vazhdojnë të jenë prezentë për arsye sepse nuk jemi të njoftuar në detajet e siç thotë një shprehje “dreqi fshihet në detaje”. Neve na duhet t’i shohim detajet e tekstit për të qenë të sigurtë se një themelim i Asociacionit nuk do ta ndryshojë për të keq karakterin unitar të shtetit tonë dhe nuk do ta transformojë Kosovën nga idealet e themeluesve të saj”- tha Krasniqi.

Kurse nënkryetari i LDK-së u shpreh se e vlerëson angazhimin e Lajçak për takim me opozitën, përkundër që sipas nënkryetarit të LDK-së, vazhdojnë të mbeten në “terr” sa i përket mos zbardhjes së draftit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Besoj që angazhimi i tij dhe ndarja e kohës me partitë opozitare është për tu vlerësuar përkundër që po vazhdojmë të mbahemi në një formë apo një tjetër, në terr për shkak të mos zbardhjes së dokumentit mos transparencës së paku në parime dhe në angazhim në orientim që duhet kryeministri i Kosovës që të jua ofrojë deputetëve në çfarëdo forme edhe popullit të Kosovës”- tha Haziri.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe emisari Lajçak në takimin që kanë zhvilluar të hënën kanë diskutuar në lidhje me të gjitha aspektet e ndërlidhura me zbatimin e plotë të Marrëveshjes bazike të Brukselit dhe aneksit implementues të Ohrit.

Kështu është bërë e ditur në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.

Tutje në këtë komunikatë është thënë se Republika e Kosovës është e përkushtuar për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë dhe për njohje reciproke.

Për takimin ka shkruar në platformën “X” edhe emisari Lajçak.

Ai tha se me Bislimin kanë diskutuar për nevojën e zbatimit të Marrëveshjes për normalizim pa kushte dhe vonesa.

Lajçak ka thënë se janë dakorduar për hapat e ardhshëm por nuk ka treguar se cilët janë ata.

“Sapo u takova me zëvendëskryeministrin e parë Besnik Bislimi për të përcjellë takimin e fundit me liderët europianë në Bruksel dhe nevojën për zbatimin e plotë të Marrëveshjes për rrugën e normalizimit pa vonesa dhe parakushte. Ne ramë dakord edhe për hapat e ardhshëm”- ka shkruar ai.

Vizita e emisarit Lajçak në Kosovë vie rreth dhjetë ditë pas takimeve të fundit në Bruksel më 26 tetor.

Në ato takime, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq u takuan ndaras me krerët e Gjermanisë, Francës, Italisë por edhe përfaqësues të lartë të BE-së.

Pas takimit, ai deklaroi se ishte i gatshëm për ta nënshkruar propozimin që i ishte dorëzuar më 21 tetor nga pesëshja e madhe, që përfshinte një draft statut të vetëmenaxhimit.

“Pavarësisht ofertës sime, Serbia refuzoi të nënshkruajë marrëveshjen dhe draftin e 21 tetorit. Përkundrazi, ajo kërkoi një letër anësore që do të anulonte 3 parime të marrëveshjes dhe propozimin e 21 tetorit. Pranimi do të thotë nënshkrim, dhe nënshkrimi garanton pranimin dhe zbatimin”- ka thënë Kurti.

Një ditë pas këtij takimi, Kurti para gazetarëve theksoi se drafti për vetëmenaxhimin, i paraqitur nga emisarët europianë e amerikanë, do të kontrollohej menjëherë nga Gjykata Kushtetuese për ta vlerësuar kushtetutshmërinë, nëse do të nënshkruhej në Bruksel.

Ai u shpreh se drafti është shkruar me kujdes ndaj strukturës së Kushtetutës, teksa shtoi se Kosova është e përkushtuar për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe njohje reciproke.