Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kurti: Nëse do të nënshkruhej drafti për vetëmenaxhimin, do të kontrollohej menjëherë nga Kushtetuesja

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se drafti për vetëmenaxhimin, i paraqitur nga emisarët europianë e amerikanë, do të kontrollohej menjëherë nga Gjykata Kushtetuese për ta vlerësuar kushtetutshmërinë, nëse do të nënshkruhej dje në Bruksel.

Kurti para mediave tha se emisarët kanë thënë se drafti është shkruar me kujdes ndaj strukturës së Kushtetutës, teksa shtoi se Kosova është e përkushtuar për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe njohje reciproke.

“Kosova është përkushtuar për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe njohje reciproke, në këtë drejtim u rikujtova që me 27 shkurt në Bruksel pranuam marrëveshjen bazike dhe aneksin e zbatimit në Ohër më 18 mars. Në të dyja rastet pala serbe ka refuzuar të nënshkruaj ndonëse ka thënë se e pranon dhe është dakord me tekstin e saj”- u shpreh Kurti.

“Nënshkrimin e ofrova edhe në samitin e BE-së në Tiranë ku Serbia që përfaqësohej me kryeministren e saj gjithashtu refuzoi sikurse presidenti ndërkaq në takimin e 21 tetorit me emisarët na është thënë që drafti për vetëmenaxhim është shkruar me kujdes ndaj shkronjës dhe strukturës së Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës dhe që nëse do nënshkruhej, parashihej që do ta kontrollonte Gjykata Kushtetuese menjëherë, pra që Kushtetuesja jep vlerësimin e saj për këtë propozim si përgjigje”- deklaroi ai.

Kurti nuk ka ndarë detaje për planin europian të vetëmenaxhimit pasi sipas tij kjo është kërkuar edhe ndaj emisarëve.

“E respektojmë kërkesën e pesë emisarëve, që deri sa na kërkohet të mos flasim konkretisht për të. Por më e rëndësishmja është që emisarët kanë deklaruar se e kanë shkruar me kujdes duke pasur parasysh Kushtetutën dhe ligjin dhe se përgjigjen për çfarëdo dilema do ta japë gjithnjë Gjykata Kushtetuese”- ka shtuar Kurti.

Më 26 tetor 2023, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq janë takuar veçmas me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, zëvendëspresidentin e Komisionit Europian dhe Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, si dhe emisarin e tij, Mirosllav Lajcak.

Pas takimit kryeministri Kurti tha se ka pranuar nënshkrimin e marrëveshjeve të dakorduara, por sipas tij, Serbia nuk ka qenë e gatshme.