Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, Foto: KALLXO.com

Ambasadori amerikan: Draft statuti i Asociacionit paraprakisht do të marrë vlerësimin e Gjykatës Kushtetuese

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive.

Hovenier në një konferencë për media tha se draft-statuti është përgatitur në atë mënyrë që të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“Statuti i Asociacionit është prezantuar nga Bashkimi Europian por gjithashtu me prezencë të ShBA-ve, që kemi qenë pjesë e saj. Konsideruar nga Bashkimi Europian dhe SHBA-të, kanë përgatitur në atë mënyrë që të respektojnë Kushtetutën e Kosovës.”

“Më lejoni të ju rikujtojë qëndrimin e SHBA-ve në atë se si duhet të jetë Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, e kemi thënë shumë herë, duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, nuk duhet të kërkohen ndryshime kushtetuese, duhet të jetë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive, nuk duhet të ketë nivel tjetër të qeverisjes, duhet të jetë në përputhje me pikëpamjet që janë prezantuar në janar nga Këshilltari i departamentit të shtetit Derek Chollet dhe emisarit për Ballkanin, Gabriel Escobar”- ka thënë Hovenier.

Hovenier tha se një nga dispozitat e këtij drafti është se paraprakisht do të marrë vlerësimin e Gjykatës Kushtetuese para se të hyjë në fuqi.

“Në besojmë që ky draft-statut që është siguruar nga Qeveria e Kosoves, përmbushë të gjitha këto kritere dhe besojmë që është shkruar në mënyrë që të jetë në përputhje me Kushtetutën, por është vetëm një mekanizëm që mund të bëjë të gjitha vendimet nëse është në përputhje me kushtetutën ose jo, dhe ajo është Gjykata Kushtetuese. Sikurse edhe kryeministri Kurti ka thënë në Kuvend të premten, një nga dispozitat e këtij drafti është se do të shkojë në Kushtetuese që të bëjë atë vlerësim dhe ta bëjë atë para se të hyjë në fuqi”- deklaroi Hovenier.

SHBA-të dhe BE-ja i kanë propozuar Kosovës një draft-statut për formimin e Asociacionit – një marrëveshje që rrjedh nga dialogu Kosovë-Serbi, propozim të cilin e ka pranuar kryeministri Albin Kurti.

Dokumenti ende nuk është bërë publik zyrtarisht.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se drafti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është pakrahasimisht më i avancuar se sa ai i vitit 2013.

Këtë deklaratë e tha Kurti sot para gazetarëve teksa shtoi se vërejtjet dhe kritikat e tij ia ka përcjellë edhe emisarit të BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak.

“Ky është draft krejtësisht tjetër është pakrahasismisht më i avancuar por kjo nuk do të thotë që ne jemi të kënaqur, andaj edhe unë i kam dërguar vërejtjet dhe kritikat e mia. Nuk kam çfarë i shtoj deklaratës time që e kam thënë në Kuvend“- tha Kurti.